Ky është numri i të rinjve që aplikuan për t’u bërë policë

Konkursi për tu bërë policë të Kosovës ka zgjuar një interesim të madh të kosovarëve. Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha ka thënë se në konkursin e fundit të hapur nga Policia, kanë aplikuar 17 mijë e 500 persona.
Shkas për këtë numër kaq të madh, sipas Hoxhës është besueshmëria që kosovarët e posedojnë për këtë institucion vendor.
“Policia e Kosovës si institucion kryesor i zbatimit të ligjit në vazhdimësi është vlersuar si një nga institucionet më profesionale dhe të besueshme për qytetarët, prandaj edhe interesimi i të rinjve dhe të rejave nga të gjitha komunitete ka qenë mjaft i madh për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës dhe për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve.
Konkursi për zyrtar policor është mbyllur me datë 10.05.2018, dhe deri me këtë datë janë pranuar rreth 17 mijë e 500 aplikacione”, ka thënë Hoxha.
I pyetur se sa do të jetë numri i atyre që do të pranohen, Hoxha ka thënë se kjo do të mvaret nga nevojat operative të Policisë së Kosovës. raporton Insajderi.
“Meqenëse ende është në proces regjistrimi i aplikacioneve në sistem dhe vetëm pas regjistrimit të të gjitha aplikacioneve dihet numri i saktë, sapo te perfundoj procesi i tërësishëm i regjistrimit do të njoftoheni me kohë. Pyetja se sa është numri që do të pranohen në polici? Kjo varet nga nevojat operative të Policisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.