Diplomatët e huaj në Kosovë, dalin me një qëndrim për zgjedhjet në Drenas

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, dhe Italisë janë deklaruar për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit.
Sipas këtyre ambasadave, zgjedhjet më 4 dhjetor ishin organizuar mirë dhe janë mbajtur në atmosferë pozitive.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe SHBA-ve, urojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike, dhe votuesit e Gllogovcit për rrethin e parë me 4 dhjetor të zgjedhjes së jashtëzakonshme për kryetarin e komunës të cilën vëzhguesit e karakterizuan përgjithësisht si të organizuar mirë dhe të mbajtur në një atmosferë pozitive. Kjo zgjedhje tregoi një përkushtim të fuqishëm nga ana e të gjithë akterëve – duke përfshirë qytetarët – ndaj mbështetjes së institucioneve demokratike dhe mbajtjes së zgjedhjes që ishte në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim për media, përcjellë Indeksonline.
Kësisoj, ambasadat presin që zgjedhjet e balotazhit të mbahen edhe më 18 dhjetor, ku në garë janë kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci dhe ai i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj.
“Ngjashëm, ne shpresojmë se edhe zgjedhja e rrethit të dytë me 18 dhjetor do të jetë e lirë, e drejtë dhe transparente. Ne përkrahim përpjekjet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare që janë akredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar zhvillimin e zgjedhjes. Kjo zgjedhje është një mundësi për të treguar edhe më shumë përkushtimin ndaj zhvillimit demokratik në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
Ambasadat kanë inkurajuar qytetarët e Drenasit që të dalin në votim dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për atë kandidat që mendojnë se është më i aftë për ta udhëhequr komunën e tyre.