Aksion i VV-së në Drenas kundër idesë së ndryshimit të stemës dhe vulës (Foto)

Lëvizja Vetëvendosje në Drenas ka ndërmarr një aksion kundër idesë së ndryshimit te stemës dhe vulës së Komunës së Drenasit, transmeton DrenicaOnline.

Aktivistët kanë vendosur stemën në hyrje të komunës me mbishkrim “Mos e Prek”.

Më poshtë gjeni njoftimin e VV-së në Drenas:

Në pranverën e përvjetorëve të shumtë të rënies së dëshmorëve për liri, dedikimi ynë për idealët e tyre duhet të jetë edhe angazhim i përditshëm. Komuna e Drenasit mbanë me krenari simbolet kombëtare në stemën dhe vulën e komunës, sepse qytetarët e saj kanë dhënë shumë për çështjen dhe identitetin kombëtar përgjatë historisë.

Janë bërë gati dy dekada që stema dhe vula e komunës e përmbajnë shqiponjën me krenari. Dhe kjo është mëse e natyrshme. E kundërta do të ishte e papranueshme. Që nga paslufta, qytetarët e Drenasit janë identifikuar dhe vazhdojnë të ndjehen të përfaqësuar nga simbolet e komunës.

Komuna e Drenasit ka dhënë mirënjohje dhe tituj të nderit personaliteteve lokale, kombëtare e ndërkombëtare pikërisht me stemën dhe vulën të cilat kryetari Ramiz Lladrovci po dëshiron t’i ndryshojë.

Prandaj, askush nuk guxon më prek në vlera kombëtare dhe historike, duke synuar tjetërsimin e këtyre vlerave. Për vendime të tilla që prekin thelbësisht bindjet dhe vullnetin e qytetarëve, as ne përfaqësuesit politik, nuk mund t’i japim vetes të drejtë të veprojmë në kundërshtim me atë çfarë duanë dhe besojnë qytetarët.

Kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, nëse ka vullnet me ndryshu diçka në Drenas, le të ia fillojë nga shëndetësia e degraduar, me përmirësimin dhe shtimin e shërbimeve parësore, me depolitizimin në arsim e administratë, me rritjen e mirëqenies për qytetarët dhe me krijimin e kushteve të favorshme për biznese.

Kërkojmë nga kryetari që ta tërheq propozimin e tij, për tjetërsimin e simboleve aktuale të komunës, që i lëndon ndjenjat e qytetarëve, mohon identitetin dhe zhvleftëson vullnetin e qytetarëve dhe zhvleftëson vullnetin e tyre, sidomos të familjeve të të rënëve për liri, të frymëzuar në emër të simboleve kombëtare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë