Lladrovci pret në takim kryeministrin Haradinaj, ja çka kanë biseduar sot në Drenas

Me rastin e shënimit të 1 majit, ditës ndërkombëtare të punës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, me të cilin kanë biseduar për çështjet që janë me rendësi për Komunën e Drenasit, projektet që presin të realizohen si dhe kanë takuar edhe sindikatën e pavarur të ndërmarrjes së Ferronikelit për të biseduar për mundësinë e stabilizimit të fabrikës.

Kryetari Lladrovci fillimisht i ka prezantuar kryeministrit Haradinaj vendin ku do të ndërtohet stadiumi Kombëtar në Drenas, përballë Parkut të Biznesit, pastaj e ka pritur në takim në objektin e Komunës. Lladrovci ka biseduar për projektet kapitale të Komunës së Drenasit që janë në interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Drenasit dhe ka kërkuar nga Kryeministri që të përkrahë ne realizimin e projekteve dhe se projektet që do të investohen nga Qeveria dhe secila organizatë buxhetore, do të zbatohen ne përpikëri sipas planifikimit.
Kryetari Lladrovci i ka kërkuar përkrahje Kryeministrit Haradinaj për të mbajtur stabile dhe funksionale ndërmarrjen e Feronikelit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përgëzuar kryetarin Lladrovci për dinamikën dhe seriozitetin e shtuar të punës për të mirën e qytetarëve të Drenasit.
“Sot biseduam në Drenas për krejt projektet zhvillimore që janë të rëndësishme, edhe për mundësin buxhetore të financimit të këtyre projekteve, po ashtu biseduam edhe për pronat, që Komuna e Drenasit ka projekte zhvillimore ne ato pjesë, por që janë disa pengesa që duhet të ju kthehen Komunës për t’i zhvilluar ato projekte dhe do të ishte në interes të përgjithshëm”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se “për simbolikën e ditës së sotme, kemi pas rastin me i taku edhe sindikatën e Ferronikelit, kryetarin e saj Fehmi Nika, dhe jemi informuar për gjendjen në këtë ndërmarrje. Është konstatuar se Qeveria e Kosovës i ka borxh për rimbursimin e TVSH-së, që ndërlidhet me pagën e punëtorëve për dy muaj, mars dhe prill, ndaj neve na intereson që Ferronikeli të vazhdon me prodhim, sepse është një investim dhe janë 820 punëtorë dhe besoj që do të t’i gjendet zgjidhja që ndërmarrja të këtë normalizim të situatës” ka thënë Haradinaj.

Në fund të takimit, Kryeministri Haradinaj i ka dhuruar dekoratën e vitit të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryetarit Lladrovci dhe ka vlerësuar se kjo dhuratë i jepet sepse është bashkëluftëtarë dhe familjar i Heroit Fehmi Lladrovci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë