Lladrovci e Jashari nderojnë Komandantin Ilaz Kodra

Komuna e Drenasit dhe Komuna e Skënderajt me rastin e shënimit të 19 vjetorit të rënies së Komandantit Ilaz Kodra, 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve, ka mbajtur tubim përkujtimor dhe kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
Me këtë rast Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Polac, Vërboc dhe Shtuticë, pranë Kullës së Komandantit Ilaz Kodra në Prekaz dhe pranë pllakës përkujtimore në Vërboc.
Ndërsa tek pllaka përkujtimore në Vërboc u mbajt tubim përkujtimor, ku në fjalimin e tij, Kryetari Lladrovci theksoi se “sot, është ditë kur varganit të pavdekshmëve të kombit, iu bashkua komandanti Ilaz Kodra. Gjurmëve të Komandantit Legjendar Adem Jasharit, në Drenicë, flakën e lirisë e barti me krenari Fehmi Lladrovci, për t’a vazhduar Ilaz Kodra. Vijimësia e rezistencës deri në çlirimin e vendit ishte betim”.
Lladrovci ka shtuar se “me nderim, sot, përkulemi para jetës dhe veprës së Ilaz Kodrës, martirëve të Komunës së Drenasit dhe Komunës së Skenderajt, së bashku dy komunat e Drenicës kemi organizuar aktivitete me rastin e shënimit të 19 vjetorit të rënies së Komandantit Ilaz Kodra, të 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve të Vërbocit, Shtuticës, Tërstenikut, Polluzhës, Gllobarit, Baksit, Dashecit dhe fshatrave përreth”.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtur edhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari. Ndërsa në emër të familjarëve një fjalë rasti ka mbajtur vajza e Komandantit Ilaz Kodra, Krenare Kodra.
Në kuadër të shenimit të 19 vjetorit, Kryetari Lladrovci mori pjesë në hapjen e turneut në futboll të vogël për kategorinë e juniorëve në Skenderaj në fushën sintetike.
Ndërsa Akademia Përkujtimore për nder të Komandantit Ilaz Kodra, e organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradniaj do të mbahet në Prishtinë, në ora 18:00.