Edhe një i ri vdes në Turqi, në pamundësi të kurimit në Kosovë

Për dy muaj, dy të rinj kosovarë gjetën vdekjen në spitalet e Turqisë. Shteti nuk arriti që këtyre dy të rinjve t’ua siguronte një trajtim të duhur. Valdet Zeqiraj, 27 vjeç, si dhe Endrit Vorfaj, ndërruan jetë në Turqi. Aty kishin shkuar për t’i trajtuar sëmundjet, njëri tumorin e tjetri leukeminë
U nis për shërim në Turqi. Por as aty Endrit Vorifaj, 24 vjeç, nga fshati Planjë i Prizrenit, nuk arriti të gjejë shërim. Endriti ishte diagnostikuar me tumor në tru. Ai nuk mund të operohej në spitalet e Kosovës. Andaj familja me thirrje për ndihmë financiare e dërgoi atë para disa ditëve për shërim në Turqi.
Njëzetekatërvjeçari nuk mundi të gjejë shërim as në spitalet turke. Ai ndërroi jetë më datë 24 të këtij muaji. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot gjatë orëve të pasdites. Ai i ka lënë pas prindërit dhe një motër.

Në spitalet e Turqisë po ashtu ka vdekur edhe Valdet Zeqiraj, 27 vjeç. Ai ishte diagnostikuar me sëmundjen e leukemisë. Zeqiraj nuk arriti të kurohet në Kosovë, as në Turqi. Ai ndërroi jetë në mars të këtij viti.
Shërim në Kosovë nuk po mund të gjejnë edhe qindra pacientë të tjerë si rasti i Endritit e Valdetit. Ata po mësyjnë vendet evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes.
Mungesa e barnave, aparaturave për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme e mosbesimi në institucionet publike shëndetësore janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët e Kosovës detyrohen të marrin rrugë drejt shteteve evropiane.
Sipas të dhënave të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për trajtime mjekësore jashtë vendit. Për vitin 2017, në Ministrinë e Shëndetësisë rreth 2 mijë pacientë kanë kërkuar ndihmë financiare për trajtim mjekësor jashtë vendit.
Mbi 1 mijë e 500 kosovarë vetëm gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar me kancer, 334 raste më shumë se në vitin 2016. Më të shpeshtat janë rastet e kancerit të gjirit, mushkërive dhe atij gastrointestinal, shkruan Express.
Ndërkohë Express kishte raportuar se gjatë gjithë vitit të kaluar (2017), dhjetëra pacientë kosovarë, përfshirë edhe fëmijë kanë kërkuar shërim jashtë vendit nga këto sëmundje. Prej këtyre rasteve rreth 51 persona janë fëmijë që janë paraqitur me sëmundje malinje. 25 prej tyre vuajnë prej leukemisë. Ndërkohë që ndihmë financiare për shërim jashtë vendit nga sëmundja e leukemisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar 52 kosovarë gjatë gjithë vitit të kaluar.