Drenas, shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës dhe lansimi i një projekti të madh

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Komuna e Drenasit ka zhvilluar dy aktivitete në të njejtën ditë, atë të pastrimit të ambientit në qendër të qytetit duke vazhduar me pastrimin e disa deponive ilegale dhe lansimin e projektit “Zbatimi i skemës së ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim”, në bashkpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe organizaten jo-qeveritare Green Art Center-Prishtina (GAC).
Fillimisht për shënimi e aktiviteteve për pastrimin e ambientit, Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci dhe Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi dhe bashkëpunëtorë, mbjellën fidane dhe lule në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, duke ftuar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ambientit ku jetojnë dhe veprojnë.
Ndërsa lansimi dhe hapja zyrtare e projektit “Zbatimit të skemës së ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim” në Komunën e Drenasit, u bë nga Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, përfaqësues nga GIZ-i, Arbnora Malaj Shabani dhe përfaqësues nga organizata jo-qeveritare GAC, Merlinda Beu Muqaj.
Me këtë rast, Kryetari Lladrovci falendëroi Qeverinë gjermane përkatësisht GIZ-in gjerman për bashkëpunimin e mirë, i uron qytetarët për Ditën Ndërkombëtare të Tokës, gjithashtu ju bënë thirrje që mos t’i hedhin mbeturinat, t’a ruajnë dhe të kujdesen për ambientin, si dhe të bëjnë ndarjen e riciklimit të mbeturinave.
“Nga sot Komuna e Drenasit po hynë në skemën për ndarjen e riciklimit të mbeturinave, po e lansojmë këtë skemë në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, prandaj u jemi shumë mirënjohës për këtë projekt dhe për projektet tjera që së bashku i kemi realizuar” thekson Kryetari Lladrovci. Në aksion për pastrimin e qendrës së qytetit (parkut, sheshit dhe lagjeve përreth), morën pjesë zyrtarët e Komunës, KFOR-i, Policia, Kryqi Kuq, Zjarfikësit, Shtëpia e Shëndetit, nxënësit e Klubeve të Gjelbra të shkollave në Drenas dhe OJQ-të.
Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë falenderon gjithë operatorët e komunës sonë të cilat na kanë mbështetur rreth eliminimit të disa deponive ilagale brenda teritorit të komunës.