Kryesia e Kuvendit e mban peng buxhetin e vitit 2017

Ka më shumë se dy javë kur projektligji për buxhetin e vitit 2017 ndodhet në kryesinë e Kuvendit të Kosovës, e cila edhe më tej nuk dihet se kur do të caktoj një datë të saktë për mbajtjen e seancës për votimin e këtij projektligji.

Ndonëse data 22 nëntor është afati kur duhet të votohej projektligji për buxhetin, kryesia e Kuvendit e ka vënë atë në rendin e projektligjeve që nuk kërkojnë urgjencë.

Naser Osmani kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa ka thënë se buxheti për  vitin 2017 ka kaluar në këtë komision dhe është përgjegjësi e anëtarëve të kryesisë së Kuvendit të Kosovës se kur ata do të caktojnë mbajtjen e seancës për votim.

“Çështja e buxhetit për vitin 2017 nuk tani nuk ka të bëjë me Komisionin për Buxhet dhe Financa për shkak se caktimi i seancës për votimin e tij i takon kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Tani duhet të shohim sepse ka kërkesa për seanca tjera më urgjente por gjithsesi kjo mbetet çështje e kryesisë së Kuvendit.  Komisioni e ka kaluar dhe e ka aprovuar për seancën e radhës”, ka thënë Osmani për Indeksonline.

Ndërkaq edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se për Indeksonline se projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm është i rëndësisë së veçantë për funksionalizimin e shtetit dhe se janë duke e pritur kryesinë e Kuvendit, që të caktojnë një datë për mbajtjen e një seance të rregull për votimin e tij.

“Nuk kemi ende kurrfarë informacioni nga kryesia e Kuvendit se kur do të sjellin në kuvend për votim buxhetin e vitit të ardhshëm. Për momentin janë duke u shqyrtuar disa kërkesa më urgjente për mbajtje të seancave, me siguri që deri në fund të muajit kryesia do ta caktoj një seancë për votim”, ka thënë Pajaziti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë