PDK dhe as Kryeministri ende nuk e kanë shkarkuar Ministrin me aktakuzë për “Pronton”

Besim Beqaj po vazhdon të jetë Ministër i Inovacionit pavarësisht se ndaj tij është ngritur aktakuzë për aferën “Pronto”. Ndaj tij nuk po vepron Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli dhe as Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj. Pozita shtetërore po vazhdojnë të mbajnë edhe zyrtarët tjerë me aktakuza përfshirë këshilltarin e Veselit, Nijazi Kryeziu e deputetin Zenun Pajaziti. Aktakuza për aferën “Pronto” ka përfshirë 11 zyrtarë, shumica të PDK’së, me në krye Adem Grabovcin, i cili ka deklaruar se ndihet i pafajshëm.
Kanë kaluar shumë më shumë se dy minuta, dhe kreu i PDK’së jo vetëm që s’e ka thënë asnjë fjalë për aktakuzat në rastin ‘Pronto’. Por ai, madje as nuk e ka shkarkuar ministrin e tij, Besim Beqajn.
Veseli ditë më parë dha fjalë të mëdha kur foli për shkarkimin e ministrit Flamur Sefaj rreth rastit të gylenistëve. “Po të ishte ministri im do ta shkarkoja për dy minua”, kishte thënë me bindje të plotë Veseli.
E ndonëse minutat po i bëhen orë, ai nuk po e thotë asnjë fjalë. Shefi i PDK’së e kishte larguar zyrtarin e tij, Adem Grabovcin, nga gara për deputet. Kishte thënë se po e nisin një standard të ri. Atë të mosfutjes në lista zgjedhore, persona që janë nën hetime.
Sidoqoftë, kjo parti, aktualisht i ka brenda strukturave të saj, dy persona që tashmë ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë. Besim Beqajn si ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, dhe deputetin Zenun Pajaziti. Duke mos e harruar edhe këshilltarin e Veselit, Nijazi Kryeziun.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë më Pajazitin e Kryeziun. Këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm për media.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci, i cili ishte protagonist i përgjimeve të publikuara në media, ka folur në ‘Frontal’ të TV7, menjëherë pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto e ku shumica e zyrtarëve të përfshirë i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq sa i përket bisedave të ‘Prontos’ ku ai dëgjohet duke caktuar anëtarë bordi në bisedë me bashkëpartiakë të tjerë, Grabovci e pranon që bordet kanë qenë të politizuara dhe aty janë zgjedhur anëtarë të partive në pushtet, gjë që është në kundërshtim me ligjin.
Vetëm pak më vonë, për këtë aktakuzë reagoi edhe ministri Beqaj. Nuk tha në asnjë moment se do të japë dorëheqje.
U shpreh se është institucionalist dhe se është i gatshëm, që të shpjegojë dhe të argumentojë secilin veprim të tijin në politik dhe ligjor.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur të premten, aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”. Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P.
Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Hetimet e Prokurorisë Speciale nisën vitin e kaluar, pasi portali ‘Insajderi’ publikoi disa përgjime telefonike ku zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dëgjohen tek punësojnë njerëz nëpër poste të larta shtetërore. Pas kësaj, Adem Grabovci kishte dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së. Ishte eliminuar edhe nga gara për t’u bërë deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Ndaj Adem Grabovcit dhe disa zyrtarëve të tjerë të PDK’së kishin nisur hetimet kur Insajderi publikoi përgjimet në të cilat dëgjoheshin zyrtarët e shtetit duke bërë pazare me vende pune në sektorin publik. Grabovci bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin etj. caktonin nëpër pozitat e larta publike militantë të PDK’së.