Pse Drenasi shkoi në balotazh?

Instituti për Hulumtime dhe Analiza Sociale-Prishtinë (IHAS-P), i cili ka monitoruar gjatë gjithë kohës fushatën zgjedhore dhe procesin e votimit në Komunën e Drenasit, ka dhënë detaje për KosovaPress, për balotazhin në Drenas dhe për nivelin e mbështetjes që kanë pasur dhe kanë kandidatët në garë për kryetar të Drenasit.

Drejtori i IHAS-P, Arian Janova bëri të ditur arsyet që Drenasi ka shkuar në balotazh, si mos-puna e ish-kryetarit Nexhat Demaku, qeverisja e gjatë dhe e pandryshueshme në këtë komunë. Po ashtu, sipas tij edhe mos komunikimi i kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovci në media, ka ndikuar që qytetarët të mos e pranojnë një kandidat që nuk komunikon me ta.

“Ne kemi nxjerr në konkluzion se qytetarët nuk kanë qenë të kënaqur me Partinë Demokratike të Kosovës dhe kryetarin Nexhat Demaku. Si rezultat i mos punës së kryetarit Demaku, qytetarët kanë dashtë ta ndëshkojnë qeverisjen lokale të PDK-së. Mos puna e kryetarit Nexhat Demaku, qeverisja e gjatë dhe pandryshime e PDK-së në nivel lokal në Drenas. Sipas, qytetarëve ka dal që z. Lladrovci, ka qenë një kandidat i imponuar nga qendra, se sa që është përkrahur nga dega”, tha Janova.

Në anën tjetër, sipas Janovës, në Drenas ka pasur një thyerje të mitit se në Drenicë duhet të qeverisë vetëm PDK-ja. Ai tha për KosovaPress, se kandidati Xhavit Drenori ka qenë ai i cili e ka thyer mitin, duke kandiduar si i pavarur dhe duke fituar mbështetje nga shtresa më intelektuale.

“Tek shtresa intelektuale e Drenasit është parë mungesa e komunikimit të z. Lladrovcit përmes debateve televizive, që ata janë ndier të injoruar dhe nuk e kanë mbështetur. Z. Lladrovci ka qenë i sabotuar nga forumet e ndryshme brenda degës së PDK-së në Drenas. Qytetarët, e kanë vlerësuar z. Isa Xhemajli si një kandidat që është më premtues për qytetarët e Drenasit. Kuptohet, ka qenë ndikimi i Jakup Krasniqit në Drenicë, që e ka mbështet z. Xhemajli. Pastaj, z.Drenori e ka thyer atë mitin që në Drenicë nuk mund të ketë kandidat të pavarur, kandidatë të cilët kanë sukses dhe z. Drenorin e kanë mbështet shtresa më e shkolluar. Te z. Ilmi Thaci, kemi hasur përkrahës më shumë materialist, në kuptimin e një sigurimi të një vendi punës përmes Bexhet Pacollit. Z. Vehbi Berisha e kanë mbështetur njerëzit e komunitetit fetar”, tha Janova.

Sipas hulumtimit të kryer nga IHAS-P, kandidati nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajli, del të jetë më i pëlqyeri për banorët e Drenasit.

“Zotëri Ismajl Xhemajli ka arritur t’i bind të gjithë kundër kandidatet, si Xhavit Drenorin, Ilmi Thacin dhe Vehbi Berisha që të bëhen bashkë. Z. Isa Xhemajli është një kandidat më adekuat, i cili tek qytetarët shihet si një kandidat më premtues dhe më origjinal në zgjedhjen e problemeve të tyre”, tha Janova.

Ndikimi i kryetarit të Këshillit të Nisma-s, Jakup Krasniqi, reflektoi edhe në votat e kësaj partie.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë