Dy degë me një program mësimor

Ndodh edhe kjo!

Në shkollën e agrobiznesit dhe teknologjisë “Z.Hajdini”, gjatë vitit shkollor  2015/2016, DKA-ja e ka hapur profilin: Dizajn i enterierit dhe teknologjia e drurit; pra si askund tjetër e nisin dhe e mbarojnë vitin pa një program mësimor adekuat.

Për këtë mangësi barra e përgjegjësisë bie mbi MASHT-in, sepse e lejoi hapjen e profilit pa program mësimor. MASHT-i, hartimin e programit ua besoi mësimdhënësve të shkollës në fjalë, ky ishte gabimi i radhës dhe më askush s’u mor me kontrollimin e tij.

Ajo që është edhe më skandaloze se mësimdhënësit e këtij profili i sajuan lëndët profesionale, si:

  • Materialet për ndërtimin e mobilieve
  • Ndarja dhe klasifikimi i mobileve

S’di sa ka lidhje logjike togfjalëshi – ndërtimi i mobilieve, unë s’kam koment! Ndërkaq, në vitin shkollor 2016/2017, në të njëjtin profil (kl.X) bëjnë ndryshimin e lëndëve profesionale, p.sh:

  • Materialet për prodhimin e mobilieve dhe
  • Teknologjia e drurit

Kjo (lënda) e fundit nuk është mësuar fare në vitin paraprak, d.m.th në klasën X (e dhjetë). Zoti e di se çka do të fusin në vitin tjetër?! Gjithashtu, programi mësimor për klasën e dhjetë (X) është kopjuar nga GTZ dhe PEME gjermane, marrë nga profili i përpunimit të drurit që është hartuar për shkollat profesionale ne Kosovë, kjo s’është e lejueshme.

Tani është krijuar një ngërç, sepse na dalin dy degë me një program mësimor. Pasi që programi është i njëjtë, vështirë është të bëhet identifikimi i degës-profilit.

Edhe pse emërtimi i profilit është Dizajn i enterierit dhe teknologjia e drurit, për çudi as në klasën e dhjetë (X), as në klasën e njëmbëdhjetë (XI), s’e kemi asnjë lëndë dhe asnjë njësi mësimore për dizajn i enterierit, unë këtu nuk kam shpjegime!!!

Mësimdhënësit që janë marrë me hartimin e programit mësimor, shihet se kanë deficit në përgatitjen e tyre profesionale, njëkohësisht janë me master të paakredituar, por kjo është çështje me vete. Pra, marrja e programit nga GTZ dhe PEME, siç kanë vepruar, ndryshe quhet plagjiaturë, që është e denueshme .

Nuk di, pse po ngurron MASHT-i ta inspektojë këtë Drejtori, kur ka aq shumë parregullësi e moszbatim të ligjeve dhe udhëzimeve administrative të MASHT-it?!

Prandaj, pyes ku janë:

  • Inspektorët e arsimit,
  • Organet për krime ekonomike dhe
  • Prokuroria

Veprimet e këtyre janë të domosdoshme, mos të bëhen të shurdhër, as të verbër, sikur nuk dëgjojnë dhe nuk shohin asgjë, por le t’i kryejnë detyrat e tyre me ndërgjegje për çka paguhen nga taksapaguesit.

Zoti Kryetar, edhe çka duhet të ndodhë tjetër në arsim për ta larguar këtë drejtor nga DKA-ja që po i errëson përditë e më shumë institucionet e edukimit dhe të dijes në Komunën tonë.

Vërtet është koha për veprime që dikush të përballet me drejtësinë për punën  e papërgjegjshme në kurriz të nxënësve tanë.

Agim Berisha – Udhëheqës i Departamentit të Arsimit – Dega e PDK-së në Ferizaj – 08.12.2016

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë