KQZ vendos për rinumërimin e 16 kutive të votimit, tri prej tyre në Komunën e Drenasit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve të 16 kutive të votimit që i takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme të vendit, transmeton portali DrenicaOnline.
Nga ky numër, 5 kuti votimi i përkasin zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ndërsa 11 kuti të tjera janë nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), rinumërimi rekomandohet në rastet kur konstatohen mospërputhje – për shembull, kur numri i nënshkrimeve në listat e votuesve është më i madh ose më i vogël se numri i fletëvotimeve në kuti.
Nga këto 16 kuti, tri ndodhen në Komunën e Drenasit – konkretisht një në Nekoc, një në Korroticë të Epërme dhe një në Gllobar.
Këto kuti do të rinumërohen vetëm për zgjedhjet e Kuvendit Komunal.
Procesi i rinumërimit pritet të zhvillohet në QNR në Prishtinë, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të KQZ-së dhe vëzhguesve të akredituar./DrenicaOnline/