Lladrovci siguron katër autobusë nga Drenasi për protestën mbarëkombëtare në Tiranë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se janë siguruar katër autobusë për qytetarët e Drenasit që dëshirojnë të marrin pjesë në protestën mbarëkombëtare në mbështetje të heronjve të luftës dhe paqes, e cila do të mbahet më 17 tetor 2025, në ora 17:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, transmeton portali DrenicaOnline.

“Qytetarë të komunës së Drenasit, ju bëj thirrje atyre që kanë mundësi të marrin pjesë në protestën mbarëkombëtare në mbështetje të heronjve tanë të luftës dhe paqes në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Tiranë, të premten, më 17 tetor 2025, në ora 17:00,” ka shkruar Lladrovci.

Sipas tij, autobusët do të nisen të premten në ora 10:00 nga Stacioni i Autobusëve në Drenas, ndërsa pjesëmarrja do të shërbejë si shenjë solidariteti dhe përkrahjeje ndaj luftëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

“Protesta është e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së dhe synon sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për drejtësi ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes,” ka shtuar Lladrovci, duke theksuar se proceset në Hagë po karakterizohen nga padrejtësi dhe shkelje të shumta.

Në fund, ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë:

“Si çdo herë, kemi përkrahur drejtësinë dhe kemi besuar në të, por tash kemi obligim të reagojmë ndaj padrejtësisë që po ju bëhet heronjve tanë. Shihemi në Sheshin ‘Skënderbeu’, në Tiranë, të premten, në ora 17:00!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë