Abelard Tahiri hesht pas humbjes së thellë në Drenas

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili gjatë gjithë fushatës qëndroi në Drenas për të përkrahur kandidatin për kryetar të komunës, Petrit Hajdarin, ende nuk është deklaruar për humbjen e thellë të këtij të fundit dhe fitoren bindëse të Ramiz Lladrovcit, transmeton portali DrenicaOnline.
Gjatë fushatës, Tahiri ishte i bindur se Hajdari do të fitonte pa balotazh, mirëpo ndodhi e kundërta — Lladrovci fitoi që në raundin e parë.
Në faqen e tij zyrtare në Facebook, e cila gjatë fushatës ishte jashtëzakonisht aktive, nuk është bërë asnjë postim prej dy ditësh. Postimi i fundit i Tahirit është një fotografi me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi, me mbishkrimin: “Pa balotazh #191”.
Ndërkohë, kryesia e PDK-së, e udhëhequr nga Memli Krasniqi, ende nuk është mbledhur për të reflektuar mbi humbjen historike në bastionin e saj më të fortë. Burime brenda partisë bëjnë të ditur se ndryshimet e mundshme në kryesi pritet të ndodhin pas përfundimit të garës së balotazhit në komunat tjera.