Ramiz Lladrovci: Bedelët partiakë s’e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit, por të pagës e karrierës

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj atyre që i quan “bedelë partiakë”, duke theksuar se ata nuk e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë, por vetëm të përfitimeve personale dhe karrierës.
Në një postim publik, Lladrovci theksoi se “orteku i fitores po i afrohet cakut”, ndërsa mikpritja dhe pjesëmarrja e qytetarëve në çdo tubim zgjedhor janë të jashtëzakonshme. Ai tha se bashkë me ekipin e tij kanë zhvilluar takime me mijëra qytetarë në çdo fshat e lagje të komunës, duke dëshmuar kulturë të lartë politike dhe komunikimi.
“Ne e duam Drenasin të zhvilluar, me perspektivë, të qeverisur me duar të pastra dhe askush mbi ligjin,” – u shpreh Lladrovci.
Kryetari shtoi se disa keqbërës po përpiqen të devijojnë vullnetin e qytetarëve përmes njerëzve të importuar nga komuna të tjera, por theksoi se asnjë bir nëne nuk e largon atë nga PDK-ja.
“Bedelët po harrojnë se kur i ftojnë qytetarët e komunave të veta të votojnë për kryetarët, edhe qytetarët e Drenasit do të votojnë për kryetarin meritor, pa dallim partie,” – ka thënë ai.
Në përfundim, Lladrovci tha se bedelët partiakë nuk kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë, por të pagës dhe karrierës së lidhur me favore personale e familjare, duke shtuar mesazhin e tij të njohur:
“Me 101 arsye Për Drenasin Kampion – vazhdojmë edhe katër!”