Reagon Shemsi Elezi pas pezullimit nga puna: “Jam viktimë e shkeljeve ligjore dhe hakmarrjes brenda institucionit”

Komisioni Disiplinor i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës ka vendosur për pezullimin e përkohshëm të Shemsi Elezit, i cili mban pozitën e Inspektorit Hetues të Konkurrencës në Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Sipas vendimit, pezullimi do të jetë me kohëzgjatje 30-ditore, duke filluar nga nesër deri më 6 nëntor 2025, dhe ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankesë. Në arsyetim thuhet se ndaj Elezit janë pranuar pesë kërkesa nga drejtues të AKRK-së për fillimin e procedurës disiplinore, për shkelje të etikës profesionale, dëmtim të reputacionit të institucionit dhe mospërmbushje të detyrave të punës.
Por pas këtij vendimi, ka ardhur reagimi i vetë Shemsi Elezit, i cili pretendon se pezullimi i tij është i padrejtë dhe i motivuar nga hakmarrja.
“Që nga viti 2023 jam duke u përballur me shkelje të të drejtave të mia si zyrtar publik. Kjo ka nisur pasi nuk kam lejuar punë jashtëligjshme. Më 29 nëntor 2023 jam sulmuar fizikisht nga Selajdin Beqa, i cili qëndron jashtëligjshëm në detyrë, i mbështetur nga kryetarja e Autoritetit, Neime Binaku-Isufi,” ka shkruar Elezi.
Ai ka akuzuar Beqën dhe Binaku-Isufin se e kanë “kthyer mbrapsht” një institucion të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, duke vepruar jashtë ligjit dhe duke ndikuar në vendimet e komisioneve disiplinore.
“Komisioni që ka marrë vendim për pezullimin tim është i paligjshëm dhe i ndikuar. Nuk ka asnjë provë që kam ndikuar në proces, siç kërkon ligji për pezullim. Vendimi është i pabazuar dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi,” ka shtuar Elezi, duke theksuar se ka ngritur kallëzime penale ndaj personave përgjegjës.
Në fund të reagimit të tij, Elezi ka kërkuar ndërhyrjen e organeve hetuese dhe ka theksuar se “me drejtësi, keqpërdoruesit do të munden”.
Ky rast ka nxitur reagime të shumta në opinion, duke hedhur dritë mbi tensionet e brendshme në Autoritetin e Konkurrencës dhe akuzat për shkelje të ligjit dhe abuzim me detyrën.