Avokati i njohur: Ka Zot, prandaj debatin e fitoi Lladrovci

Avokati Petrit Lladrovci ka reaguar pas debatit televiziv mes kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe gazetarit Lirim Mehmetajt në emisionin e moderuar nga Ermal Panduri, duke e cilësuar përballjen si “të rrezikshme” dhe “në teh të shpatës”.
Sipas tij, në debate të tilla, gazetari mund të humbë ndonjë klikim, por politikani mund të humbë shumë më tepër — vota, besim e karrierë.
“Sidomos në kohë fushate. Por përballja me të pavërtetat ka kosto. Pikërisht për këto arsye, kjo përballje ishte e rrezikshme,” tha Lladrovci.
Ai shtoi se në një format ku përballë ke një njeri të mësuar me debate të përditshme televizive, të ndihmuar nga moderatori dhe kundërshtarët politikë të Ramizit, çdo analizë e ftohtë do të thoshte se ky ishte debat i humbur.
“Por ndodhi e kundërta – e vërteta dhe argumenti e mundën oratorinë dhe mbështetjen mediale,” theksoi avokati.
Në reagimin e tij, Petrit Lladrovci foli edhe për incizimin e publikuar, për të cilin tha se është “i prerë dhe i manipuluar”, duke shtuar se “një provë e tillë as juridikisht nuk pranohet në gjykatë dhe nuk duhej pranuar për publikim as në gazetari, sepse e vërteta nuk mund të mbështetet në manipulim.”
Ai nënvizoi se tërësia është ajo që përbën të vërtetën dhe se publikimi i një pjese të prerë në kulmin e fushatës kishte vetëm një qëllim: dëmtimin e Ramiz Lladrovcit, e jo informimin e publikut.
“Lirim Mehmetaj, me gjasë, e kuptoi gabimin për publikimin e atij incizimi të prerë. E dinte, por jua bëri qejfin,” tha ai.
Në fund, avokati Lladrovci shtoi se ky rast do ta ndjekë gjatë gazetarin në aspektin profesional, duke e mbyllur reagimin me fjalët:
“As oratoria, as gazetaria dhe as kryesia nuk ju ndihmuan. Fitorja i takon të drejtit. Ka Zot.”