Ditë gëzimi në Malishevë: Vihen themelet e qendrës për të moshuar dhe fëmijë me nevoja të veçanta

Kryetari i Komunës së Malishevës dhe kandidati për një mandat të ri, Ekrem Kastrati, ka njoftuar për një ngjarje të veçantë për qytetin — nënshkrimin dhe vendosjen e gurthemelit të qendrës për të moshuar, fëmijë me nevoja të veçanta dhe kuzhinës humanitare në Malishevë.

“Dita e sotme është ndër më të lumturat në gjithë këto vite të qeverisjes sonë”, ka deklaruar Kastrati, duke e cilësuar këtë projekt si një nga më të rëndësishmit për komunitetin.

Kryetari ka shprehur mirënjohje të veçantë për humanistin Halil Kastrati, themelues i Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe Qytetar Nderi i Malishevës, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për bashkëfinancim me Komunën e Malishevës.

Projekti, që pritet të arrijë vlerën mbi 3 milionë euro, do të shërbejë si një hapësirë e dedikuar për kujdesin ndaj të moshuarve, fëmijëve me nevoja të veçanta dhe për mbështetje sociale për familjet në nevojë.

“Ky është përmbushje e një përkushtimi të madh që kemi pasur këto vite — për të bërë më të mirën për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë sonë,” ka theksuar Kastrati.

“Urime të gjithëve pa dallim për këtë projekt madhështor në Malishevë!” – ka përfunduar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë