E vërteta është thelbi i debatit me Lirim Mehmetajn

Shkruan: Ramiz Lladrovci

Pse e bëra reagimin e menjëhershëm në fb, pasi pranova telefonatën e gazetarit të Vox Kosova dhe transkripin e audio incizimit, sepse, transkripti i publikuar ishte dialog i dy personave, ndërsa ne kemi qenë gjashtë, pra, ishte falsifikim i qartë.

Audio incizimi ka qenë material i njohur për të cilin kam bërë shënim zyrtar në Polici dhe kam ftuar organet me u marrë me të.

Kërcënimet me këtë incizim i kam ditur moti, sepse, në lokalin e incizuesit ua lëshonin qytetarëve sa për tu dëgjuar zëri im, duke thënë se “Lladrovci nuk guxon kurrë me na prek lokalin”, edhe pse ishte uzurpim.

Pra, ky është shantazh e unë nuk shantazhohna, prandaj jam gati të shkoj në debat me Lirimin që edhe para qytetarëve të vendit e qytetarëve të Drenasit në veçanti me ju garantu dhe siguru, se nuk shantazhohna as direkt, as indirekt, e as publikisht, se në raport me ligjin kam qenë dhe jam i pastër, prandaj jemi kampion.

Uzurpimi ka procedurë të gjatë, jo vetëm që kam bërë padi ndaj uzurpatorit, por edhe ndaj organeve të drejtësisë, ngase ka kohë që është në procedurë kjo çështje dhe ende nuk ka epilog. Kam dyshime të forta se vonesat janë të qëllimshme.

Incizimi, sipas meje, i ka konsumuar disa vepra penale:

Mosdorëzimi i menjëhershëm i incizimit te organet përgjegjëse,

Shkëputja e pjesëve dhe copëtimi për të mashtruar opinionin,

Publikimi në kohë fushate i incizimit i kryer vite më parë, kërcënim dhe qëllim i devijimit të vullnetit qytetar për zgjedhje.

Me gjithë respektin për median dhe rolin e sajë, Vox Kosova, ka publikuar materiale të gjymtuara nga uzurpatori, pa u verifikuar origjinaliteti dhe pa u verifikuar realiteti i incizimit dhe qëllimi i incizimit, sepse, këtu bëhet fjalë për shantazh e kërcënim, jo zbulim i të vërtetës.

Prandaj, e kam ftuar në debat panelin e Vox Kosova që ka ra pre e uzurpatorëve dhe shantazhuesve që tashmë organet po merren me çështjen.

Dal në debat, për ta thënë të vërtetën.

Kur kam deklaruar se incizimi është bërë në zyrë, autori i incizimit e zbulon veten dhe thotë se nuk është në zyrë por është në Emerald, ranë vet në kurth, do të thotë paskan qenë shumë veta, por, zëri i tyre është hequr.

Ka së paku dy incizime të përgatitura për shantazh e kërcënime, por, shenjë s’ma lënë. Nëse dalin incizimet e paprera, të plota, do të shihet e vërteta, sepse, kur them unë, edhe në biseda, UNË nënkuptohet se bëhet fjalë për komunën, pronë e komunës, interesi i komunës, jo imi.

Kur deklaroj për investitorin potencial të takojnë, kaq metra, ky është fitimi yt, nuk dëgjohet se çka fiton komuna.

Komuna fiton mbi 10.600 metra katror.

Ligji ia mundëson Kryetarit të Komunës të negociojë dhe është detyrë e Kryetarit me u angazhu me ja shtu vlerën e pronës së komunës, dhe pasi të kryhen negociatat, përgatitet materiali dhe dërgohet në Kuvendin e Komunës për miratim. Pasi miratohet në Kuvend, vendimi dërgohet për vlerësim të ligjshmërisë në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pra janë procedura ligjore, të cilat të interesuarit dhe gazetari do të duhej t’i dinte.

Unë i kam zbatuar dhe i zbatoj procedurat në secilin rast, prandaj jemi komunë kampion.

Pra, me vota në Kuvend të Komunës aprovohet çdo dhënie në shfrytëzim e pronës e jo me vendim të kryetarit. Kryetari ka kompetencë me negociu dhe me ja paraqitë propozim-marrëveshjen eventuale Kuvendit.

Edhe “bonusi apo mbindërtimi” eventual janë të ligjshme, nëse këta ndërtimtarë do të ishin pjesë e marrëveshjeve të komunës, për ndërtuesit kur bëjnë favore për komunitetin – kur e bën një rrugë, kënd të lojërave për fëmijë apo ndonjë të mirë për komunitetin, i takojnë në varësi të hapësirës së pronës që investitori mund ta lëshoj për komunitetin.

Komuna e ka për obligim t’i jap mbindërtim përmes “bonus zonimit”. P.sh. Nëse 1.000 metra katror i lëshon investitori për komunitet, atëherë komuna i jep apo ia shton një kat mbindërtim në sipërfaqe prej 3.000 metra katror, plus 50% i bonusit që i shtohet shumës. Kur mblidhen dy shumat e jep sasinë e mbindërtimit prej 4.500 metra katror mbindërtim me leje ndërtimi për sipërfaqen 13.200 metra katror (1.32 ha).

Pra, gjithçka është brenda ligjit, nuk ka birë nane që më ndalë, më shantazhon e më devijon nga rruga e ligjit. Jam i betuar, nuk koritna, e kam obligim mbrojtjen e interesit dhe besimin qytetar!

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë