Të shtëna me armë në qendër të Prishtinës, plagoset një person – autori në arrati

Një plagosje me armë zjarri ka tronditur pasditen e së dielës kryeqytetin. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Garibaldi”, pranë Hotel “Grandi” në Prishtinë, ku një person është qëlluar me armë nga një tjetër, që më pas është larguar në arrati.

Sipas të dhënave të para nga burimet, incidenti ka ndodhur më 05 tetor 2025, rreth orës 16:45, kur policia ka pranuar informacion për një plagosje me armë zjarri. Në vendngjarje kanë dalë njësitë reaguese dhe hetimore, të cilat kanë konstatuar se viktima, M.Limani rreth 32-vjeçar, kishte plagë në këmbën e djathtë dhe lëndime në dorën e djathtë, të shkaktuara gjatë përleshjes.

Viktima është transportuar me urgjencë në Emergjencën e QKUK-së, ku pas trajtimit mjekësor është liruar dhe intervistuar nga hetuesit. Sipas dëshmive, autori i dyshuar, H.Krasniqi, kishte qëlluar me armë në drejtim të viktimës dhe më pas ishte larguar në këmbë në drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes, policia ka siguruar tri gëzhoja dhe ka kryer ekspertizën e plotë teknike në bashkëpunim me Njësinë e Krim-Teknikës së Stacionit Qendra dhe Krim-Teknikën Rajonale. Pas identifikimit të autorit, policia ka kontrolluar vendbanimin e tij, por nuk e ka gjetur në shtëpi.

I dyshuari H.Krasniqi ndodhet në arrati, ndërsa Prokuroria ka urdhëruar inicimin e rastit për tri vepra penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Hetimet janë në zhvillim, ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarit, për të siguruar arrestimin e tij dhe ndriçimin e plotë të motivit të sulmit të armatosur që ndodhi në zemër të Prishtinës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë