Shqiptar Gubetini: Pesë vjet padrejtësi, pesë vjet krenari për UÇK-në

Shkruan: Shqiptar Gubetini

Saktësisht po bëhen pesë vjet prej kur ish-drejtuesit e UÇK-së dhe institucioneve të Kosovës po mbahen padrejtësisht në paraburgim, në qelitë e ftohta të Dhomave të Specializuara në Hagë. Pesë vjet më vonë shumëçka ka ndryshuar nga fillimi i nëntorit të vitit 2020, por ajo që nuk ka ndryshuar dhe që forcohet çdo ditë e më shumë është krenaria e pashuar për UÇK-në – ushtrinë që ia solli lirinë këtij vendi.

Sot, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk u mungojnë vetëm familjeve e miqve të tyre. Ata i mungojnë Kosovës, institucioneve, popullit dhe gjithë kombit shqiptar. Më 14 shtator në Hagë u mbajt një protestë e madhe, ku mërgimtarë e veteranë nga të gjitha anët e botës u bashkuan nën një zë. U brohorit fuqishëm se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme. Nuk u mblodhëm për të mohuar drejtësinë, por për të kërkuar drejtësi. Mesazhi ishte i qartë: askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës! Në fytyrat e secilit shihej shpresa, që edhe në fund të këtij tuneli të gjatë do të lindë një dritë.

Populli i Kosovës e ka përjetuar pastrimin etnik dhe masakrat më të tmerrshme në Evropën e fundit të shekullit XX, ndërsa autorët e atyre krimeve ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Në anën tjetër, përpjekjet për ta barazuar viktimën me agresorin nuk kanë qenë kurrë më të theksuara. Kjo padrejtësi i dhemb çdo shqiptari, kudo që jeton. Protestat në Prishtinë dhe ato në Hagë janë dëshmi se populli nuk i harron bijtë e tij më të mirë dhe do të qëndrojë pranë tyre në çdo rrethanë. Në këto pesë vite të mungesës së tyre fizike, shteti ka humbur drejtimin e duhur, është shmangur nga rruga që kishin trasuar presidenti Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, sidomos në qasjen e ndërtimit të raporteve me miqtë ndërkombëtarë.

Prandaj sot, të gjithë pa dallim, presin fundin e kësaj maratone me shpresën dhe besimin e madh se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të rikthehen në Kosovë – për të vazhduar konsolidimin e shtetit dhe forcimin e lirisë për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë të kombit.

Populli shqiptar ka vuajtur brez pas brezi, dhe lufta e UÇK-së ishte vula e përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi. Ky është çmimi që po paguajmë edhe sot. Edhe pse padrejtësisht në qeli, Thaçi e shokët e tij janë sërish në krye të detyrës, sepse po mbajnë mbi supe një betejë të re për dinjitetin e Kosovës. Të gjithë jemi të bindur se, pavarësisht errësirës së sotme, një ditë – DIELLI DO TË LIND PËRSËRI!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë