Ramiz Lladrovci: Hetimi i audio-incizimit nga Prokuroria është lajm i mirë – besoj në drejtësi!

Kryetari i Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas lajmit se Prokuroria ka nisur shqyrtimin e materialit të audio-incizimit që u publikua ditë më parë.

“E mirëpres këtë veprim, sepse kam kërkuar prej kohësh hetim për incizimet nga një burim në Drenas dhe për këtë çështje, pas denoncimit tim, Policia e Kosovës ka mbajtur shënim zyrtar”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka bërë të ditur se pret të publikohen edhe incizime të tjera, që sipas tij, do të zbulojnë të vërtetën për autorët dhe qëllimet e atyre që qëndrojnë pas tyre.

“Audio-incizimi i publikuar është i prerë, i ripunuar dhe është regjistruar më 29 maj 2023, pas orës 17:00, në Hotel Emerald, në Restoranin e katit të pestë. Hetimet duhet të orientohet në këtë kohë dhe vend, ku kanë qenë të pranishëm: unë, Bekim Lestrani, Hamit Kastrati, Labinot Halilaj, Malësore Cakiqi dhe autori i incizimit, Arigon Sinani”, theksoi ai.

Lladrovci shtoi se publikimi i incizimeve të gjymtuara ka për qëllim shantazhin në pikun e fushatës, me synim dëmtimin e imazhit dhe devijimin e vullnetit qytetar. Ai gjithashtu paralajmëroi kallëzim penal ndaj shkaktarëve të vonesave në rastin e uzurpimit dhe shantazheve.

“Besoj në drejtësi!”, përfundoi Lladrovci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë