Ramiz Lladrovci sfidon publikisht kundërshtarët: “Gati për debat në çdo medium – asnjë metër pronë për vete!”

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se është i gatshëm të përballet në një debat me panelistë në cilindo medium, duke theksuar se VOX Kosova do të kishte përparësi për zhvillimin e një ballafaqimi të tillë.

Në reagimin e tij, Lladrovci ka sqaruar se audio-incizimi i bërë në Zyrën e Kryetarit dëshmon qartë interesin për zhvillim publik, e jo për përfitim personal.

“Jam i gatshëm të jap të gjitha sqarimet se kam vepruar në kuadër të përgjegjësive që mi jep ligji, ndërsa gjuha e përdorur, e pranoj, nuk ishte diplomatike”, ka theksuar ai.

Qëndrimi për pronën në qendër të Drenasit

Sipas Lladrovcit, qëllimi i vetëm ka qenë ngritja e vlerës së pronës komunale në qendër të Drenasit, për ta bërë sa më atraktive për investitorët, duke synuar që Komuna të përfitojë mbi 27% apo mbi 10.000 metra katror, si dhe të hapen vende të reja pune e të arkëtohen tatime për mbi 40.000 metra katror.

Ai ka sqaruar se në asnjë moment nuk është menduar apo planifikuar që prona të përdoret për interesa personale, ndërsa procesi i ofertimit nuk ka vazhduar pasi nuk është miratuar në Kuvendin e Komunës.

Ftesë për ballafaqim

Lladrovci ka bërë të ditur se ftesa për debat mbetet e hapur për të gjithë panelistët, duke theksuar se synimi i tij ishte të bindte pesë asamblistët e PDK-së – Labinotin, Arigonin, Hamitin, Bekimin dhe Ndriçimin – se dhënia në shfrytëzim e pronës do të ishte në interes publik.

“Ballhapur i ftoj panelistët për debat, për të hedhur poshtë shantazhin e lidhur ngushtë me fushatën dhe humbjen e pandalshme të oponentëve të mi politik”, përfundon reagimi i Ramiz Lladrovcit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë