Kush është Memli Krasniqi? Një retrospektivë për degën e PDK-së në Drenas dhe sfidat e saj të brendshme

Nga: Labinot Halilaj, kandidat për Asamblenë Komunale Nr. 30 në listën e z. Ramiz Lladrovci

Drenasi, që nga paslufta, ka qenë një nga bastionet më të forta të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në disa raste, kjo komunë ka shënuar përqindjet më të larta të votës për PDK-në në nivel vendi. Por, përkundër kësaj përkrahjeje të fuqishme qytetare, dega lokale është përballur përherë me sfida të brendshme, shpesh të karakterizuara me përçarje, konflikte dhe eliminime sistematike të individëve që kanë ndërtuar këtë parti që nga themelet.

Akterët e njëjtë, skenarë të përsëritur

Në mënyrë të përsëritur, përbrenda degës së PDK-së në Drenas është zhvilluar një luftë e pamëshirshme ndaj figurave me kontribute të mëdha kombëtare dhe lokale. Kjo nuk është ndodhi e rastësishme është një model i përsëritur, me aktër politikë që mbeten të njëjtit, ndonëse periudhat dhe rrethanat ndryshojnë.

Këta aktër, të cilët dikur udhëhoqën fushata të brendshme për të përjashtuar dhe dëmtuar z. Izet Ibrahimi dhe z. Gani Syla, sot janë të njëjtit që po zhvillojnë një betejë të njëjtë ndaj z. Ramiz Lladrovci një emër që përfaqëson stabilitetin institucional, qëndrueshmërinë dhe përvojën në shërbim të qytetarëve.

Ky cikël i përsëritur i eliminimit të kontributorëve të vërtetë flet për një kulturë të brendshme që synon kontrollin, jo bashkëpunimin, interesin personal, jo interesin e qytetarëve.

Po kush është Memli Krasniqi?

Kryetari aktual i PDK-së, z. Memli Krasniqi, nuk ka qenë vetëm dëshmitar i këtyre zhvillimeve, por shpesh edhe pjesë aktive përmes vendimeve që i kanë lehtësuar dhe legjitimuar ato.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ai zgjodhi të përjashtojë strukturat që kundërshtonin kandidaturën e z. Lladrovci. Por sot, në një kthesë të pashpjegueshme, të njëjtëve aktorë ua dorëzoi partinë në dorë. Nëse kjo nuk është hipokrizi politike, si tjetër mund të quhet?

Kjo qasje e z. Krasniqi nuk është vetëm dëm për partinë, është dëm për demokracinë e brendshme, për strukturat lokale, për qytetarët dhe për vetë kredibilitetin e PDK-së si parti që dikur i qëndronte vlerave.

Në vend që të ndërtojë urë bashkëpunimi mes brezave të kontributorëve dhe të rinjve, ai ka zgjedhur të mos përballet me përgjegjësinë, duke shpikur procedura për emërime, duke qëndruar anash në fushata dhe duke u shmangur nga çdo ballafaqim publik, përfshirë edhe refuzimin për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e kaluara.

Një lider i vërtetë ndërton, jo përjashton. Bashkon, jo ndan. Mbron të vërtetën, jo interesa afatshkurtra të individëve të pandryshueshëm që për dekada, kanë shfrytëzuar partinë për interesa personale, ndërsa kanë luftuar gjithmonë kundër atyre që kanë punuar me përkushtim.

Thirrje për qytetarët e Drenasit

Qytetarët e Drenasit e njohin të kaluarën, por më mirë akoma e kuptojnë të tashmen. Sot, ata nuk kanë më dilema se kush është kush, kush ka dhënë dhe kush vetëm ka marrë.

Prandaj, në këto zgjedhje, është koha të mbështetet integriteti, përvoja dhe vizioni. Koha të mbështetet z. Ramiz Lladrovci nr. 101, si kandidat për kryetar komune, dhe lista e tij për Asamblenë Komunale, ku unë garoj me nr. 30.

Me këtë ekip mbahet Partia. Me këtë ekip mbahet Komuna. Me këtë ekip ndërtohet shteti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë