Rasim Elshani, veteran i luftës: Ëndrra për fëmijët e mi u bë realitet, falë mërgimtarit Isak Neziri

Rasim Elshani, veteran dhe invalid i luftës, ka ndarë emocionet e tij të mëdha pasi sot iu dorëzuan çelësat e shtëpisë së re. Ai theksoi se kjo ishte një ëndërr e kahmotshme për fëmijët e tij, që tashmë është bërë realitet, transmeton portali DrenicaOnline.

Në një rrëfim plot mirënjohje, Elshani tregoi se falënderimi i parë i takon Zotit dhe më pas njerëzve vullnetmirë që u angazhuan për këtë vepër. Ai veçoi mërgimtarin Isak Neziri, i cili, ndonëse i angazhuar në zgjedhje, i kishte dhënë fjalën: “Rasim, do ta ndërtojmë shtëpinë, vetëm më prit deri sa të përfundojnë këto zgjedhje.”

Premtimi u mbajt dhe brenda një kohe rekord, shtëpia u përfundua me të gjitha kushtet, duke i dhënë familjes së Rasimit një strehë të re dhe të ngrohtë.

Elshani shprehu falënderim të veçantë edhe për Bashkim Nika dhe Naim Istogu, të cilët, sipas tij, u kujdesën për çdo detaj të organizimit që kjo ditë të bëhej realitet.

“Zotëri Isak, për mua dhe familjen time je miku ynë dhe biri i kësaj Kosove”, përfundoi Elshani me mirënjohje.

Ky gjest human i mërgimtarit Isak Neziri dhe i bashkëpunëtorëve të tij mbetet një shembull i fuqishëm solidariteti dhe dashurie për vendlindjen./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë