Arrestohen pesë persona në Drenas, Shtime dhe Lipjan për armëmbajtje pa leje, dërgohen në mbajtje

Pesë persona janë arrestuar sot, gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Shtime, Lipjan dhe Drenas, raporton Sinjali.
Policia e Kosovës, përmes Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në vazhdën e angazhimeve operacionale dhe pas zhvillimit të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente ka realizuar këtë operacion, i cili ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarve.
Operacioni policor është zhvilluar pas dyshimeve të bazuara për përfshirje të të dyshuarve në veprat penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me urdhër të gjyqtarit kompetent janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme, në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale si: 1 AK-47, një pushkë e gjatë me dylbi, një pushkë gjuetie, një revole, 116 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 8 fishekë me gaz, 2 pushkë ajrore, 5 telefona.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.