Lladrovci: “Dada Razë” nuk po bën punë, as thesi i premtimeve boshe nuk ju ndihmon

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për edhe një mandat, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj atyre që, sipas tij, po përpiqen të frenojnë fitoren e listës së tij zgjedhore.

“Jam i habitur me miqtë e mi, me shokët që deri dje kishim një synim dhe një qëllim të përbashkët partiak e politik, të cilët nuk po zgjedhin mjete për ta frenuar ortekun e fitores ‘Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin’”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka thënë se është për keqardhje niveli ku kanë rënë, siç i quan, “krerët aktualë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese, të themeluar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes”.

“Kot i keni përpjekjet për ta bërë ‘Dadën Razë’ faktor politik në Drenasin krenar, Drenasin e nderit, të sakrificës dhe përkushtimit atdhetar. Ndalni joshjet, presionet dhe shantazhet ndaj qytetarëve dhe kandidatëve për Kuvendin e Drenasit, sepse edhe më poshtë po bini. Jeni lehtas të lexueshëm. ‘Dada Razë’ nuk po ju bën punë, as hapja e thesit të premtimeve boshe nuk do t’ju ndihmojë”, ka shtuar ai.

Lladrovci u bëri thirrje qytetarëve të mbeten të bashkuar me listën e tij zgjedhore, duke theksuar se, sipas tij, “qytetarët kampion, lista e kandidatëve kampion, kanë shtëpinë e vet, numrin 101 ‘Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin’”.

“Vazhdojmë +4!”, ka përfunduar Lladrovci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë