Të shtënat me armë pranë “Viva Fresh” në Prishtinë, konfiskohen gëzhoja – policia në kërkim të autorëve

Mbrëmë vonë janë raportuar të shtëna me armë zjarri në rrugën “Epiri” të Prishtinës, pranë rrethrrotullimit tek “Farmedi”.

Rasti ndodhi më 1 shtator 2025, rreth orës 22:00, kur Policia pranoi një telefonatë për të shtëna në vendkalimin e këmbësorëve, afër marketit “Viva Fresh”.

Njësitet policore shkuan menjëherë në vendngjarje, ku siguruan perimetrin dhe gjetën dy gëzhoja, të cilat u sekuestruan nga forenzika për procedura të mëtejshme, raporton gazeta Sinjali.

Nga pyetjet e bëra qytetarëve në zonë, shumica deklaruan se nuk kishin parë apo dëgjuar diçka të dyshimtë.

I vetmi dëshmitar, T. A., ka deklaruar se teksa po lëvizte në këmbë, kishte vërejtur një Audi të zi dhe një veturë tjetër ngjyrë hiri me targa që fillonin me shkronjat “CP”.

Sipas tij, pas një bisede të shkurtër mes personave brenda veturave, kishte dëgjuar dy krisma arme, pas së cilave automjetet u larguan në drejtim të panjohur.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe i është referuar njësisë së hetimeve për procedura të mëtejshme.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë