Lladrovci për Drenasin: Nuk shoh rival, qytetarët dinë të dallojnë mes premtimeve boshe dhe punëve të kryera – do fitojmë

Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili garon për një mandat të ri në zgjedhjet lokale të vitit 2025, në një prononcim për Gazeta Blic, duke folur për garën në këtë komunë theksoi se nuk është e lehtë, mirëpo, deri më tani e sheh si garë të ndershme.

“Drenasi ka pasur traditë politike, por mbi të gjitha ka pasur traditë të punës dhe besimit te vlerat e qytetarëve. Gara nuk është e lehtë, por unë e shoh deri më tash të ndershme. Në fund, zgjedhja është në duar të qytetarëve. Jam i bindur se ata do të zgjedhin vazhdimësinë e punëve të mira dhe projekteve që kanë ndryshuar realitetin e komunës, qeverisjen e shkëlqyer që kanë sjell performancën kampion në nivel nacional”, u shpreh Lladrovci.

Lladrovci është i bindur se do e fitojë sërish komunën e Drenasit, pasi sipas tij këtë e kanë dëshmuar me vepra e jo me fjalë. “Besoj fuqishëm se do të fitojmë, kemi dëshmuar me vepra, jo me fjalë”, theksoi kryetari.

I pyetur për rivalin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Petrit Hajdari, Lladrovci tha se respekton çdo kundërshtar politik, mirëpo ‘thumboi’ Hajdarin duke thënë se qytetarët dinë të dallojnë mes premtimeve boshe dhe punëve të kryera.

“Unë e respektoj çdo kundërshtar politik, por besoj se qytetarët dinë të dallojnë mes premtimeve boshe dhe punëve të kryera”.

Ai shtoi se rezultatet e arritura në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe transparencë janë garancia e fitorës së tij në këto zgjedhje.

“Unë nuk shoh individ si rival, por sfidën kryesore e shoh te besimi i qytetarëve, dhe jam i bindur se ai besim është me mua”, theksoi Lladrovci.

Në planprogramin e tij për mandatin e ri, Lladrovci premton zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës, mbështetje të bizneseve lokale dhe vazhdimësi të projekteve infrastrukturore.Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit tashmë qe 9 vite, nuk u kandidua nga Partia Demokratike e Kosovës në këtë komunë për zgjedhjet lokale 2025. Në vend të tij, partia kandidoi Petrit Hajdarin, teksa Lladrovci do kandidojë me subjektin e ri politik që quhet “PËR DRENASIN KAMPION ME RAMIZ LLADROVCIN – PDKRLL”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë