Kandidati i PDK-së për Lipjan, Shukri Buja: Do t’i ndalim shpifësit me ligj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka reaguar përmes një njoftimi për opinionin publik, duke falënderuar përkrahësit e tij për mbështetjen e madhe që ka marrë pas shpalljes së kandidaturës.
Ai tha se një numër i vogël individësh kanë nisur një fushatë të organizuar shpifjesh, duke sulmuar personalitetin e tij, të kaluarën politike dhe jetën private, transmeton portali DrenicaOnline.
“Opinionet e mia publike janë duke u keqinterpretuar e transmetuar pjesërisht, duke u nxjerrë jashtë kontekstit, vetëm e vetëm për të tentuar të më dëmtojnë në këtë garë politike”, tha Buja.
Ai paralajmëroi se ndaj çdo shpifjeje do të ndërmerren masa ligjore në bashkëpunim me organet gjyqësore dhe policore.
Buja u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e, siç i quajti ai, “grupeve të organizuara” që frikësohen nga kandidatura e tij.
“Me fitoren time do të vijë fundi i keqpërdorimeve me paranë publike dhe me funksionet shtetërore. Bashkë me ju, me përkrahjen tuaj, do të sigurojmë një Lipjan të ndershëm, të drejtë dhe të zhvilluar. Fitorja është e jona,” ka përfunduar ai./DrenicaOnline/