OVL-UÇK tregon si do bëhet organizimi i protestës në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se protesta kundër Gjykatës Speciale, e cila më 7 gusht u mbajt në Prishtinë, do të vazhdojë më 14 shtator në Hagë, këtë herë nën organizimin e diasporës shqiptare.

Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, tha se organizimi i transportit nga Kosova drejt Hagës nuk ka mundësi të organizohet nga shoqata, por interesimi i qytetarëve është i madh.

“Me mundësitë tona nuk kemi mundësi me i organizu autobusët, por një gjë ju garantoj, mbi 200 veta veç sot janë lajmëruar që kanë organizime vet për me shku drejt Hagës. Sa i përket prej Kosovës, dmth nuk mundemi me organizu autobusë”, u shpreh ai në një konferencë për media.

Ndërsa, një nga organizatorët e protestës në diasporë, Fatmir Koci, tregoi se mobilizimi jashtë vendit po zhvillohet në mënyrë të strukturuar dhe me interesim të madh.

“Sa i përket diasporës, organizimi do të jetë shumë i mirë dhe në çdo qytet do të ketë autobusë për me marr pjesë sa më masovikisht. Interesimi është jashtëzakonisht i madh”, tha Koci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë