Ekstradohet nga Italia në Kosovë i dënuari për tentimvrasje

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë, rreth orës 20:15, është realizuar me sukses ekstradimi nga Italia në Kosovë i të dënuarit F.Xh., 34-vjeçar nga fshati Mushtisht i Suharekës, me qëndrim të përkohshëm në Itali, transmeton DrenicaOnline.
Ekstradimi është kryer në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, sipas nenit 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Kosovës.
I dënuari me aktgjykim të plotfuqishëm të datës 16.02.2019 ishte dënuar me 20 muaj burgim, por iu kishte shmangur vuajtjes së dënimit. Ai është dorëzuar nga autoritetet italiane në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe është pranuar nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor Suharekë, për t’u dërguar më pas në Qendrën e Paraburgimit.
Policia e Kosovës ka falënderuar autoritetet italiane për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e urdhër-arresteve dhe procedurave ligjore në funksion të drejtësisë dhe sigurisë publike./DrenicaOnline/