Shukri Buja viziton panairin e prodhimeve vendore në Lipjan – premton mbështetje të shtuar për prodhuesit lokalë

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka vizituar dje panairin e prodhimeve vendore që u organizua në qytet, transmeton portali DrenicaOnline.
Në këtë panair, prodhuesit lokalë prezantuan produkte bujqësore, ushqimore, veshje tradicionale dhe shumë artikuj të tjerë të punuar me dorë. Buja ka përshëndetur punën dhe angazhimin e tyre, duke theksuar rëndësinë që kanë prodhimet vendore për zhvillimin ekonomik të komunës.
“Në mandatin e ardhshëm, prodhimet vendore do të promovohen rregullisht, me fokus të veçantë tek bizneset në pronësi të grave dhe të rinjve, përmes subvencioneve, krijimit të një mjedisi të favorshëm për rritjen e prodhimeve, si dhe lehtësimit të plasimit të tyre në treg,” ka deklaruar Buja.
Ai ka shtuar se promovimi i prodhimeve vendore jo vetëm që ndihmon ekonominë lokale, por gjithashtu ruan traditat dhe identitetin kulturor të Lipjanit.
Panairi është mirëpritur nga qytetarët, të cilët patën mundësinë të blejnë produkte të freskëta dhe cilësore nga prodhuesit vendorë./DrenicaOnline/