Lladrovci nga protesta në Prishtinë: Liria e Kosovës është e mangët pa liderët tanë të luftës dhe paqes

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, iu bashkua protestës së sotme në Prishtinë kundër padrejtësive ndaj UÇK-së dhe liderëve të saj.
Lladrovci theksoi se asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprën e heronjve si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve që luftuan për çlirim.
“Sot jam këtu për t’u bashkuar me vullnetin qytetar dhe për të protestuar kundër padrejtësisë që po i bëhet liderëve tanë, shtetit tonë dhe mijëra viktimave të gjenocidit serb,” u shpreh Lladrovci.
Ai shtoi se liria e Kosovës është e pandashme nga lufta e UÇK-së dhe përkrahja e NATO-s me SHBA-në në krye, duke theksuar se drejtësia do të fitojë dhe liderët do të kthehen të lirë, me kokën lart, në vendin që e çliruan me gjak.
“Jam këtu sot e gjithmonë, në mbrojtje të nderit, dinjitetit dhe të ardhmes së shtetit tim, qytetarëve dhe prijësve të saj të luftës dhe paqes,” përfundoi ai.
Protesta është mbështetur masivisht edhe nga qytetarët e Drenasit, të cilët arritën në Prishtinë me autobusë të organizuar për të dhënë mesazhin e tyre për drejtësi dhe të vërtetën e luftës.