Aktori kosovar i futet politikës, kandidon për asambleist në Drenas

Aktori kosovar Arjanit Hoti i është futur politikës.
Përmes një fotografie zbuloi që do të kandidoj për Asamblenë Komunale të Drenasit, shkruan Indeksonline.
“Nuk hy në këtë garë për karrige apo për karrierë politike – hy për një qëllim të vetëm: të jem zëri juaj, të përfaqësoj interesat e qytetarëve dhe të jap kontributin tim për komunën që e dua”, shkroi ndër të tjersh.
Postimi i plotë:
“Në këto vite, komuna jonë ka pasur fatin të udhëhiqet nga z. Ramiz Lladrovci – një kryetar shembull, i cili me përkushtim dhe vizion ka sjellë projekte konkrete dhe zhvillim të ndjeshëm në shumë fusha. Vlerësoj shumë modelin e tij të punës dhe mënyrën si i ka qëndruar afër qytetarëve.
Karriera ime është arti. Në pesë vite pune kam realizuar mbi 300 episode televizive dhe kam krijuar një nga serialet më të shikuara në Kosovë – Shpija e Madhe. Kjo përvojë më ka mësuar të dëgjoj njerëzit, të kuptoj emocionet dhe sfidat e tyre, dhe të punoj me përkushtim për çdo projekt që marr përsipër.
Pikërisht për këtë arsye kam vendosur të kandidoj për Asamblenë Komunale të Drenasit. Nuk hy në këtë garë për karrige apo për karrierë politike – hy për një qëllim të vetëm: të jem zëri juaj, të përfaqësoj interesat e qytetarëve dhe të jap kontributin tim për komunën që e dua.
Ju ftoj të më bashkoheni në këtë rrugëtim. Së bashku, mund të vazhdojmë rrugën e zhvillimit dhe të krijojmë një Drenas edhe më të mirë për të gjithë.
Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin!”.