Albulena Brestovci Agushi – një emër me peshë akademike e profesionale i bashkohet PDK-së në Lipjan

Partisë Demokratike të Kosovës i është bashkuar një profil i veçantë akademik dhe profesional: PhDc. Albulena Brestovci Agushi, profesoreshë universitare, studiuese e njohur dhe një zë i fuqishëm i mirëqeverisjes.

Albulena, e cila do të garojë për Asamblenë Komunale në Lipjan nga radhët e PDK-së, është motra e Bekim Brestovcit – drejtor i kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Me një karrierë të pasur në fushën e administratës publike, ajo është në përfundim të doktoraturës, duke u bërë e vetmja grua në Kosovë me tri nivele akademike në këtë fushë. Ajo ka ligjëruar për vite me radhë në Kolegjin AAB, ka publikuar punime në revista ndërkombëtare prestigjioze, si dhe ka përfaqësuar vendin në konferenca dhe trajnime brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja në institucione publike dhe organizata ndërkombëtare e bën Albulenën një vlerë të shtuar për PDK-në dhe qytetin e Lipjanit.

Rrugëtimi politik i saj nuk ka nisur sot. Ajo ka qenë aktive në LDK që nga viti 2006, ku ka shërbyer si anëtare e Forumit Rinor, më pas si sekretare, si dhe ka kandiduar për Asamblenë Komunale. Deri në vitin 2019, ka ushtruar funksionin e nënkryetares së Forumit të Gruas në këtë subjekt.

Aderimi i Albulena Brestovci Agushit në PDK përforcon vizionin e partisë për një politikë të dijes, zhvillimit dhe integritetit, ku gratë profesioniste zënë vendin që meritojnë.

“Mirë se erdhe Albulena – rrugëtimi ynë drejt fitores bëhet edhe më i sigurt me ty!” – thuhet në njoftimin e PDK-së në Lipjan.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë