Diplomohen 90 studentë të rinj të Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pesë prej tyre nga Kosova

Plot 90 studentë të Akademisë së Forcave të Armatosura, pesë prej të cilëve nga Kosova u diplomuan këtë të martë, më 29 korrik. Ceremonia e diplomimit të studentëve të FA-ve u zhvillua në kompleksin e ri sportiv të garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Gjatë fjalës së tij, ministri Vengu theksoi rolin kyç që kanë Forcat e Armatosura në mbrojtjen dhe përparimin e vendit. Sipas tij, ushtria nuk është thjesht një strukturë ceremoniale.
“Më lejoni të them që është një nder i veçantë që të jem pranë jush sot, sepse është një moment i thellë krenarie institucionale, sepse sa herë një brez vesh uniformën, shteti shqiptar rifillon, forcohet, përtërihet. Kjo nuk është thjesht një ditë gëzimi, por një ditë dëshmie se rruga e duhur sado e vështirë mbetet rruga që formon njerëz të vërtetë.
Rruga që nuk të premton komoditet, por të ofron dinjitet dhe për këtë dua t’ju falenderoj. Forcat e Armatosura nuk janë një dekor ceremonial i Republikës, por janë kocka, muskul dhe ndërgjegje e saj, sepse fati i një kombi është i lidhur me fatin e atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për të.