Ramiz Lladrovci: Qeverisja në Drenas është shembullore, vendosja e emrit tim në garë ishte e papritur

Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendosjes së emrit të tij në garë për rikandidim si kryetar komune nga radhët e PDK-së.

Lladrovci thotë se një vendim i tillë ka befasuar qytetarët, duke marrë parasysh qeverisjen shembullore dhe sukseset e degës së PDK-së në Drenas.

“Qeverisja në komunën e Drenasit ka qenë dhe mbetet ndër më të mirat në vend. Vendosja e emrit tim në garë, pa marrë parasysh rezultatet, nuk ishte e pritshme për qytetarët e bastionit të PDK-së”, ka deklaruar ai.

Lladrovci theksoi se dega e PDK-së në Drenas ka pasur organizim, rezultate dhe punë si asnjë degë tjetër në nivel vendi dhe se për çdo zhvillim janë informuar me raporte zyrtare të gjitha organet e partisë.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të Kryesisë së PDK-së që të mos ndikohen nga “keqbërësit”, dhe të mos bëhen pjesë e padrejtësisë.

“Mospjesëmarrja në votim për kandidatin e degës sonë do të ishte sinjal që nuk pajtoheni me bedelët. Nuk kam kontaktuar asnjë anëtar të Kryesisë për votim, sepse besoj në drejtësinë e tyre”, theksoi Lladrovci.

Ai paralajmëroi se vendimi për kandidatin për kryetar duhet të shoqërohet me hapa të tjerë organizativë: emërimin e ushtruesit të detyrës, përbërjen e kryesisë dhe emërimin e shefit të shtabit për zgjedhjet e 12 Tetorit.

“Qytetarët e Drenasit nuk meritojnë rikthimin e bedelëve të viteve 2021 dhe 2025. Unë nuk zmbrapsem, dhe me përkrahjen e qytetarëve do ta tregoj të vërtetën. Askush nuk mund të më largojë nga PDK!”, përfundoi ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë