Labinot Halilaj: Nesër priten vendime kyçe për të ardhmen e figurave politike në PDK

Asamblisti në Kuvendin Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj, ka paralajmëruar një ditë vendimtare për të ardhmen e shumë figurave politike brenda Partisë Demokratike të Kosovës, trasmeton portali DrenicaOnline.

Sipas tij, zgjedhja që do të bëhet nesër do të ndikojë drejtpërdrejt në strukturën e partisë dhe drejtimin që ajo do të marrë në të ardhmen.

“Nesër priten vendime kyçe për të ardhmen e shumë figurave politike brenda PDK-së. Një vendim në mbështetje të z. Lladrovci do të jetë dëshmi e fuqishme e lidershipit të z. Krasniqi. Në të kundërtën, mungesa e kandidimit të tij do të shënojë humbjen e parë për kandidatin e emëruar nga qendra, një humbje që mund të pasohet nga reforma të thella në çdo nivel, nga kryetari i partisë deri te strukturat në nëndegë,” ka deklaruar Halilaj.

Ai ka theksuar se në një kohë krize institucionale në vend, rruga më e mençur është ruajtja e unitetit të brendshëm dhe konsolidimi i partisë përballë sfidave që po vijnë.

“Stabiliteti partiak dhe përgatitja serioze për zgjedhjet parlamentare duhet të jenë prioriteti ynë i përbashkët,” ka shtuar ai.

Halilaj ka përfunduar deklaratën e tij me një mesazh të qartë: “PDK nesër ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme: ndërmjet vazhdimësisë së qëndrueshme dhe eksperimenteve politike të paparë më parë. Por sido që të jetë, shumë prej nesh jemi të gatshëm për çdo skenar”./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë