I biri i Jakup Krasniqit: Gëzimet dhe hidhërimet i ndajmë me videolidhje

Radiotelevizioni i Kosovës ka marrë rrëfimin e Altin Krasniqit, djalit të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë për shkak të procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale. Ai tregon për mungesën e gjatë të babait dhe për sfidat që familja po kalon në këto kushte.
Radiotelevizioni i Kosovës është përpjekur që, me rastin e mocionit në Gjykatën Speciale, të marrë përjetimet e familjarëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast, për RTK-në ka pranuar të flasë vetëm i biri i Jakup Krasniqit, Altini.
15 vite të jetës së tij i kaloi në burgje për lirinë dhe çlirimin e vendit. Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot po përballet me një proces gjyqësor në Hagë.
Ai ndodhet në paraburgim, së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së. Në shtëpinë e tij, mungesa fizike është e theksuar. Familjarët e përshkruajnë këtë periudhë si të vështirë, ndërsa kujtojnë se shumë momente të gëzimit dhe dhimbjes i kanë ndarë me të vetëm përmes komunikimit virtual.
“Mungesa e tij këto 5 vite ka qenë e madhe. Ka qenë një moment gëzimi e hidhërimi, sepse unë jam bërë baba, por hidhërimi ka qenë se çdo gjysh në momentin e lindjes ta sheh nipin apo mbesën e tij, dhe kjo gjë i është mohuar babit tim, i cili tash e 5 vite mbahet në paraburgim,” thotë djali i tij, Altini.
Në një moshë kur pritej të ishte më afër familjes, Jakup Krasniqi u arrestua. Djali i tij, Altini, ndan kujtime dhe emocione nga kjo kohë e mungesës së gjatë të të atit. Ai kujton edhe një nga premtimet që babai i kishte dhënë, premtim që nuk u realizua.
“Angazhimi i tij i madh politik, para, gjatë dhe pas luftës, e ka bërë që të jetë larg familjes dhe mos t’i kushtojë vëmendje familjes. Por ka thënë që në moshën 70-vjeçare do të dalë në pension dhe gjithë kohën do t’ia kushtojë familjes. Por, dy muaj para se t’i bënte 70 vite, ai u arrestua nga Gjykata Speciale,” thotë ai për RTK-në.
Altini e përshkruan këtë kohë si përplot ndjesi të përziera. Ai tregon se përmes komunikimit në distancë janë përpjekur të kompensojnë mungesën, veçanërisht në momentet më të rëndësishme për familjen.
Por ajo që i rëndon më shumë, është koha që Jakup Krasniqi nuk ka mundur ta kalojë me më të dashurit e tij. Megjithatë, ai shton se babai i tij vazhdon të japë kurajo dhe këshilla, ndërsa familja pret me shpresë kthimin e tij:
“Në Gjykatën Speciale për këto 5 vite nuk janë gjykuar individë, por lufta e popullit shqiptar, krerët e UÇK-së, prijësit e të gjitha proceseve, prej Konferencës së Rambujesë, Pavarësisë së Kosovës dhe të gjitha proceseve që kanë sjellë progres në Republikën tonë. Prandaj presim që drejtësia të jetë e paanshme, e bazuar në fakte dhe shpejt t’i presim çlirimtarët në atdhe,” përfundon ai.
Procesi gjyqësor në Hagë pritet të përfundojë kur edhe mbrojtja e të akuzuarve ta përfundojë rastin.