Nënshkruhet marrëveshja/ Qytetarëve të Drenasit dhe pesë komunave tjera tani gjobat e trafikut iu shkojnë në shtëpi

Posta e Kosovës vazhdon zgjerimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe komunat e vendit, në funksion të ofrimit të shërbimeve më efikase për qytetarët.

Sot, Drejtori i Drejtorisë për Zhvillimin e Biznesit në Postën e Kosovës, z. Ferki Maxhuni dhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, nënkolonel Basri Shabani, finalizuan marrëveshjet për ofrimin e shërbimit të shpërndarjes së gjobave digjitale të trafikut rrugor në gjashtë komuna të Rajonit të Prishtinës: Podujevë, Lipjan, Fushë Kosovë, Drenas, Obiliq dhe Graçanicë.

Ky shërbim përfshin dorëzimin e gjobave digjitale për shkeljet e trafikut rrugor direkt në adresën e qytetarëve, përmes rrjetit të gjerë të Postës së Kosovës. Gjithashtu, qytetarëve u mundësohet të kryejnë pagesën e gjobave në çdo zyrë postare, përfshirë fundjavat dhe ditët e festave zyrtare – duke ofruar komoditet dhe fleksibilitet maksimal.

Përmes këtij bashkëpunimi, Posta e Kosovës po jep një kontribut konkret në përmirësimin e sigurisë në komunikacion dhe në zbatim të ligjit, duke e bërë më të lehtë për qytetarët menaxhimin e obligimeve të tyre ligjore.

Posta e Kosovës, përmes shërbimeve dhe produkteve të saj, po afrohet çdo ditë e më shumë me qytetarët dhe institucionet publike në tërë vendin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë