Zjarret në Drenas, 52 intervenime në 15 ditë

Në Komunën e Drenasit është mbajtur një takim i rëndësishëm ndërinstitucional për vlerësimin e situatës së sigurisë në prag të sfidave verore, me theks të veçantë te zjarret dhe siguria në komunikacion, transmeton portali DrenicaOnline.
Nënkryetari i Komunës, Arben Shala, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Gruda, kanë pritur në takim Komandantin e Policisë në Drenas, Driton Morina me bashkëpunëtorë, si dhe Komandantin e Njësisë së Zjarrfikësve, Afrim Gjeli.
Gjatë diskutimit, u tha se pavarësisht sfidave, gjendja aktuale në komunë është e menaxhueshme. Komandanti Morina theksoi përkushtimin dhe gatishmërinë e Policisë për të qenë pranë qytetarëve dhe për të bashkëpunuar ngushtë me ta.
Ndërkohë, Komandanti Gjeli njoftoi se njësia e zjarrfikësve ka realizuar 52 intervenime vetëm në 15 ditët e para të korrikut, prej tyre 3 me përmasa të mëdha në Sankoc, Gjurgjicë dhe Terdevc. Ai shtoi se pavarësisht mungesës së stafit dhe pajisjeve, angazhimi i njësisë ka qenë maksimal. Ndërkohë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë realizuar gjithsej 143 intervenime.
Në fund, u theksua rëndësia e vetëdijesimit të qytetarëve për të parandaluar incidentet dhe për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë./DrenicaOnline/