Vetëaksident tragjik në autostradën Gjergjicë-Prizren, humb jetën një person

Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në dalje të segmentit Gjergjicë–Prizren (dalja Jug), ku si pasojë e një vetëaksidenti ka humbur jetën një burrë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 19:45, një kamionetë e ngarkuar me rrasa guri ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e Agim Berishës, 54 vjeç, i cili ishte drejtuesi i automjetit.

Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.

Në automjet ndodhej edhe një pasagjer, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës mjekësore është liruar nga Spitali i Prizrenit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë hetuesit rajonalë, Prokurorin Kujdestar, njësinë e forenzikës, IML-në, kompaninë për mirëmbajtjen e autostradës dhe atë për tërheqjen e automjeteve.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Aksident trafiku me fatalitet”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë