“Naimi i shtrirë në hotel dhe kishte porositur drekë”- Vëllai i Liridona Ademajt rrëfen për ditën kritike dhe sjelljet e Murselit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, dëshmoi vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj, Leonard Ademaj. Ai tregoi se si e kishin kuptuar për vrasjen e motrës, sjelljet e Naimit dhe si iu vërtetuan dyshimet për përfshirjen e këtij të fundit në rast.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari Leonard Ademaj tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici

Duke rrëfyer për natën kritike, Ademaj tregoi momentin se si e kishte kuptuar se i ishte vrarë motra. Tha se ishte duke punuar në një lokal në fshatin e tij dhe se rreth orës 10:00 e kishte thirrë bashkëshortja duke i thënë se Liridona është vrarë.

Ai tha se fillimisht nuk e kishte kuptuar se a bëhej fjalë për motrën e tij Liridonën apo djalin e axhës, Liridonin.

Leonard Ademaj tha se ishte telefonuar sërish nga bashkëshortja e cila i kishte thënë të shkonte në shtëpi sepse është vrarë Liridona, e që kur shkoi në shtëpi, gjendja e prindërve ishte e rëndë.

“E kam marrë veturën, i kam marrë edhe prindërit me vete dhe jam nis për në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Gjatë rrugës lexoja gazeta që po, Liridona është vra”, tha Ademaj.

Në Spital, ai tha se kërkoi qetësues për prindërit, për shkak se kanë dëgjuar se vajza e tyre është vrarë, e që pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, janë nisur për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Kur kemi shku në Spital, aty kishte policë të shumtë të cilëve iu drejtova me pyetjen- a mund të di për rastin e Liridona Ademajt. Ata më thanë të shkoj në stacionin policor në Dragodan”, tha Ademaj, i cili shtoi se një polic ua tregoi lokacionin e tij.

Në stacion policor, dëshmitari tha se njëra nga policet ua kumtoi lajmin për vdekjen e Liridonës.

“Gjendja ishte tepër e rëndë, pas pak minutash aty erdhi edhe ambulanca. Unë kam thanë që ku janë fëmijët dhe Naimi, na kanë thanë që janë brenda. Unë së bashku me bashkëshorten kemi shku tek fëmijët, takimi me ta ishte shumë prekës, ata ishin të frikësuar, të mërzituar për atë që kishin parë dhe dëgjuar”, tha Ademaj.

Leonardi tha se kur kishte pyetur se ku është Naimi, i kanë thënë se po jepte deklaratë. Tha se pas diku një orë e gjysmë, Naimi kishte dalë nga Policia, ndërsa fëmijët i kishin marrë ata në veturë sepse ishte edhe orar i gjumit.

“Kur ka dalë Naimi nga Policia, aty ishte prezent edhe Kushtrim Kokalla. Na e kemi pyet Naimin se çfarë ndodhi, ai na tha që “na ka dalë një hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla”, deklaroi Leonard Ademaj.

Naimi i kishte thënë që i ka nxjerrë të gjitha të hollat që kishte dhe i kishte thënë edhe Liridonës t’i nxirrte të gjitha që i ka.

“Liridona tu këqyrë në çantë, unë i kam hap dyert ju kam thanë fëmijëve me ikë në gjuhën suedeze. Pasi kemi shku diku 4 a 5 metra, e kam dëgju një krismë, por nuk vazhdoja të ikja me fëmijët. Ka ardhë një veturë në drejtim tonin, ka dashtë me na shkel mu e fëmijëve, kam kërku ndihmë në një shtëpi, por nuk na kanë jep, kam shku deri në market, aty i kam thanë pronarit të marketit a mundesh me i këqyrë fëmijët se du me u kthy se ma kanë vra gruan, por pronari i marketit nuk më ka leju, më ka thanë jo se është rrezik dhe tha rri këtu e priti policinë”, tha Ademaj.

Leonardi tha se meqenëse ishte mesnatë, fëmijët i kishin marrë bashkë me familjen në shtëpi, kurse Naimi ishte bashkë me Kushtrimin.

“Për ne ajo natë nuk ishte e lehtë se i kishim edhe fëmijët, kemi qëndru zgjuar deri në mëngjes, të nesërmen diku rreth orës 11:00 kam provuar të gjej kontakt me Naimin pasi që nuk e dinim se ku ndodhet”, tha Ademaj.

Pasi kishte kontaktuar shoferin me të cilin gjendej Naimi, ai i kishte treguar se gjendet në “Swiss”, ku edhe ishte nisur bashkë me djalin e axhës, djalin e dajës dhe atë të tezes.

“Kur kemi shku në Swiss më kanë thënë se është në dhomë, jemi shku, Naimi ishte rat në krevatin e tij, kishte disa sende ushqimore në tavolinë. Po ashtu, kishte porositur edhe drekën. Nga habia, ne mendonim se është i frikësuar dhe kjo është mërzia që vuan”, tha Ademaj.

Atë e kishte pyetur nëse mund të shkonin në morg ta shohin trupin e Liridonës, por që Naimi i kishte thënë se nuk iu lejohet.

“Pas diku rreth 10 minutave, e kam thirrë vetë spitalin dhe i kam thanë që jam vëllai i Liridona Ademajt dhe nëse janë kry të gjitha procedurat a mundemi me pa trupin. Më kanë thënë po mund të vish. Kemi shku në morg, me ne erdhi edhe Naimi edhe shoferi i tijj. Kur shkuam në morg, mjeku aty na tha nëse keni ndonjë problem mundeni mos me ardhë. Aty naimi tha kam probleme me zemër dhe nuk e di a muj me pa”, shtoi Ademaj.

Ai tha se djali i axhës kishte insistuar që Naimi të shkojë ta shoh, por i njëjti e kishte shikuar vetëm nga dera.

Më pas, tha se shkuan në vendin e ngjarjes, ku ishte edhe Naimi dhe shoferi i tij. Aty tha se Naimi i kishte treguar si kishte ndodhur ngjarja.

“Tha ka nisë me dalë nga ana e djathtë, tani tha s’e di nga ana e djathtë a e majtë. Prapë ne nuk donim të dyshonim dhe jemi nisë për në Gjakovë, pas nesh ka ardhë edhe Naimi. Pastaj kemi shku në fshatin Rracaj, ka ardhë Naimi me shoferin e tij për t’i marrë fëmijët sepse tha kanë me dhanë deklaratë në Polici”, u shpreh Ademaj.

Sipas tij, rreth orës 10:00 e kishte telefonuar Naimin, i cili i kishte thënë se është rrugës sepse ishte vonuar shkaku i fëmijëve që kishin për t’u marrë në pyetje.

Rreth orës 11:00 tha se kishte arritur trupi i Liridonës, e që edhe Naimi kishte arritur atëherë, dhe ishte kryer ceremonia e varrimit.

Vëllai i Liridonës tha se ajo që të binte në sy ishte qetësia e Naimit bashkë me Kushtrimin. Tha se rrinin ftohtë edhe në raport me mediet.

Pas varrimit, tha se familja ishin kthyer direkt në shtëpi, e që kur kishin arritur aty, babai u kishte thënë se miqësia mes tyre dhe familjes së Naimit kishte mbaruar.

“Sepse si ka mundësi që Naimi ka ikë nga vendi i ngjarjes bashkë me fëmijët, ndërsa Liridona ka mbet aty. Nuk ka vonu rreth gjysmë ore dhe e kemi pa në gazeta që është arrestu Granit Plava. Pas pak minutash kemi marrë vesh edhe për arrestimin e Naim Murselit. Pastaj, edhe për arrestimin e Kushtrim Kokallës”, tha Ademaj.

Ai tha se tronditëse për ta ishte fakti se dyshimet e tyre u vërtetuan, por që nuk mund të besonin se ky krim kishte ardhur nga Naimi.

Më pas, tha se kishin kërkuar zhvarrimin e trupit të Liridonës, ku edhe e kishin njoftuar Policinë, të cilët u kishin thënë se është mirë t’ua jepte vendimin prokurorja.

Leonard Ademaj tha se dalja e tij në medie të nesërmen, dha zë të fuqishëm për rastin dhe ua bëri edhe më të lehtë zhvarrosjen e trupit të motrës. Të cilën e varrosën më pas në fshatin Rracaj, ku edhe e kishin hapur të pamen.

Fëmijët, ai tha se ishin të shokuar, e që u kishin spjeguar se “hajni u kishte kërkuar para”.

Pas varrimit, Ademaj tha se fëmijët kishin qëndruar në shtëpinë e Naim Murselit dhe prej aty shteti suedez i ka marrë, e që ky nuk i kishte takuar për katër muaj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë