Reagim i ashpër nga Arllati: KEDS po e ndal rrymën në tërë zonën, qytetarët kërcënojnë me protestë

Banorët e fshatit Arllat në Komunën e Drenasit janë duke u përballur me ndërprerje të shpeshta dhe të gjata të energjisë elektrike, të cilat po ndodhin si pasojë e punimeve të gjata në rrjetin elektrik në zonën Dalja Llapushnik. Krahas Arllatit, këto ndërprerje po prekin edhe fshatra të tjerë si Negroc, Llapushnik dhe zona përreth.

Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar Administratori i fshatit Arllat, Shumzim Bujupi, i cili në emër të banorëve shpreh shqetësimin e thellë për këtë gjendje që po përsëritet vazhdimisht.

“Nëse ka nevojë për punime, ato mund të bëhen duke shkyçur vetëm vendin ku punohet – jo duke e lënë pa rrymë krejt zona. Ndërprerësit ekzistojnë dhe duhet të përdoren”, ka theksuar Bujupi.

Ai bën të ditur se ka pranuar thirrje të shumta nga qytetarët të cilët janë të revoltuar dhe kanë shprehur gatishmërinë për të protestuar në rast se kjo gjendje nuk ndryshon.

“Kërkojmë nga KEK-u dhe KEDS-i që të veprojnë me përgjegjësi dhe të respektojnë qytetarët”, ka përfunduar Bujupi.

Banorët kërkojnë që kompanitë energjetike të mos e trajtojnë zonën si një pikë të vetme, por të shfrytëzojnë infrastrukturën ekzistuese për të kufizuar vetëm zonat ku kryhen punimet. Në të kundërtën, organizimi qytetar dhe protestat janë të pashmangshme./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë