Altin Krasniqi: Banorët e Negrocit, Arllatit, Llapushnikut…pa rrymë, ndërprerjet po bëhen përditshmëri e rëndë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Altin Krasniqi, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë me furnizim me energji elektrike në fshatin e tij të lindjes, Negroc të Drenasit, por edhe në fshatra përreth.

Ai tha se qytetarët janë duke u përballur çdo ditë me ndërprerje të gjata dhe të vazhdueshme të energjisë elektrike.

“Sot, që nga ora 09:00 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, tashmë ora është 19:00, banorët kanë mbetur pa rrymë. Ky nuk është një rast i veçuar, por realiteti i përditshëm për banorët e këtyre fshatrave”, deklaroi ai.

Deputeti Krasniqi shtoi se kjo nuk është më një çështje e ndërprerjeve me orar të paracaktuar siç ishte dikur “8 me 2”, por tashmë bëhet fjalë për ndërprerje edhe më të gjata, të papritura dhe të rënda për jetën e qytetarëve.

“Në vend që të shkojmë përpara, jemi duke u kthyer pas. Si është e mundur që pas kaq vitesh premtime dhe propagandë për zhvillim të qëndrueshëm, sot jemi dëshmitarë të një regresi kaq të thellë?”, ka pyetur ai.

Altin Krasniqi e përmbylli reagimin e tij duke theksuar se “energjia elektrike nuk është luks, por nevojë jetike”, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për përmirësimin e kësaj situate të papranueshme.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë