Shukri Buja për ndarjen nga jeta të Naim Ymerit: Pusho i qetë, bashkëluftëtar e shpirt poeti!

Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, i jep lamtumirën bashkëluftëtarit dhe mikut të tij të ngushtë, Naim Ymerit, duke e quajtur “krahun e tij të djathtë në luftë e në paqe”

Shukri Buja, kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit dhe ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimës, ka reaguar me dhimbje të thellë pas vdekjes së Naim Ymerit, epror i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtar i devotshëm i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një telegram ngushëllimi, Buja e ka kujtuar Ymerin si bashkëluftëtar dhe mik të ngushtë që nga vitet e para të organizimit ilegal për liri.

“Bashkëluftëtari im, krahu im i djathtë në luftë e në paqe, paska ndërruar jetë! Naim Ymeri, një emër i kombit me të cilin veprova në klandestinitet që në vitet ’80… Ai u shkri me UNIKOMBIN përmes veprës dhe iu bashkua luftës çlirimtare që në fillet e saj,” – ka shkruar Buja.

Ai thekson se Ymeri ishte ndër ushtarët e parë që hyri në qytetin e Lipjanit më 12 qershor 1999 dhe se nuk iu nda kurrë uniformës, duke shërbyer më pas në TMK dhe FSK deri në pensionim.

“Pusho i qetë, bashkëveprimtar! Pusho i qetë, bashkëluftëtar! Pusho i qetë, shpirt poeti! Në tokën për të cilën veprove, luftove dhe e çlirove!” – përfundon mesazhin e tij Shukri Buja.

Lavdi jetës dhe veprës së Naim Ymerit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë