U ndal për të blerë ujë në Llozicë, hajni i vjen nga mbrapa dhe i grabit çantën – mërgimtarit nga Suedia i vidhen mijëra euro, stoli ari dhe dokumente

Një rast i rëndë vjedhjeje është regjistruar të hënën pasdite në fshatin Llozicë të Malishevës, ku një mërgimtar me banim në Suedi ka mbetur pa çantën personale, që kishte para, stoli ari dhe dokumente të rëndësishme.

Burimet e Gazetës Sinjali mësojnë se rreth orës 18:35, A. L. ka ndaluar veturën e tij Mercedes Benz me targa suedeze pranë Marketit “Bujani” për të blerë ujë dhe disa sende ushqimore. Gjatë kohës sa ishte brenda, një veturë Audi me targa gjermane është ndalur pranë tij dhe një person i panjohur ka zbritur, ka hapur derën e Mercedesit dhe ka marrë çantën.

Mërgimtari e ka kuptuar vjedhjen vetëm kur ka arritur në fshatin Komoran dhe është kthyer menjëherë në vendin e ngjarjes, ku së bashku me pronarin e marketit, ka shikuar pamjet e kamerave të sigurisë që kanë konfirmuar skenarin e grabitjes.

Një pamje të kësaj kamere e ka siguruar edhe Gazeta Sinjali, ku shihet personi i cili dyshohet se e ka kryer vjedhjen.

Sipas viktimës, në çantë ka pasur 2800 euro, 3000 kruna suedeze, dy stoli ari në vlerë prej 2000 euro, si dhe dy patenta shoferi suedeze në emër të tij dhe bashkëshortes, B. L.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”, dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar personin dhe veturën që është përdorur në vjedhje.

Sinjali do të vazhdojë të raportojë për rastin dhe zhvillimet lidhur me kapjen e autorit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë