Kaos në Aeroportin “Adem Jashari”: 56 aeroplanë pritet të aterojnë sot – mërgimtarët vërshojnë Kosovën

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë po përballet sot me fluks të jashtëzakonshëm të udhëtarëve, ku gjatë ditës pritet të aterojnë plot 56 aeroplanë, kryesisht me mërgimtarë që po kthehen për pushime në Kosovë, transmeton portali DrenicaOnline.
Kjo ka shkaktuar kaos në hyrje-daljet e aeroportit, me kolona të gjata automjetesh që janë krijuar qysh në mëngjes.
Qytetarë të shumtë kanë dërguar pamje në redaksinë e DrenicaOnline, ku shihen bllokada në rrugën që lidh aeroportin me autostradën Prishtinë–Pejë, ndërsa shumë pasagjerë janë detyruar të ecin në këmbë nga aeroporti deri tek rruga kryesore, për shkak të pamundësisë për të lëvizur me vetura.
“As taksi s’po vijnë dot me na marrë, po ecim me çanta në dorë n’vapë për me dal në rrugën kryesore”, ka thënë një udhëtare për DrenicaOnline.
Ndërkohë, fluksi i madh pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, meqë vala e ardhjes së mërgimtarëve është në kulm./DrenicaOnline/
.
.