OVL e UÇK-së reagon ndaj deklaratave të Kurtit që ia bëri Thaçit e Veselit – e akuzon për “tradhti morale”

Pak para nisjes së seancës konstituive, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj bllokadës në Kuvend dhe deklaratave të kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurti, lidhur me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sipas Kurtit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli vazhdojnë të japin direktiva për zhvillimet politike në Kosovë përmes vizitave që zyrtarët e PDK-së zhvillojnë atje.

Në përgjigje, OVL e UÇK-së e ka akuzuar Kurtin për “tradhti morale” dhe ka njoftuar se nuk do të heshtin ndaj këtyre deklaratave.

Postimi i plotë:

QËNDRIM ZYRTAR I ORGANIZATËS SË VETERANËVE TË LUFTËS SË UÇK-së

Më 4 korrik 2025, në mbledhjen e saj të rregullt, Kryesia e OVL UÇK-së trajtoi me shqetësim të thellë dy çështje madhore që po e dëmtojnë rendin demokratik, unitetin shtetëror dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare.

Së pari, denoncojmë me forcë krizën institucionale të krijuar nga një bllokadë politike e pajustifikueshme dhe arrogante. Është e papranueshme që në kohën kur qytetarët e Kosovës përballen me pasiguri, varfëri dhe kërcënime të jashtme, partitë politike, e posaçërisht partia fituese, të luajnë me fatin e shtetit vetëm për interesa të pushtetit. Kjo sjellje është turpëruese dhe e dëmshme për demokracinë.

Luftëtarët e UÇK-së nuk dhanë gjakun për një Kosovë të bllokuar, as për politikë të verbër e destruktive.

Së dyti, dënojmë ashpër deklaratën e fundit të ish-Kryeministrit Albin Kurti, i cili në mënyrë të turpshme dhe të papërgjegjshme ka sulmuar publikisht ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke pretenduar se ata po japin “instruksione politike nga burgu”. Ky qëndrim është jo vetëm i neveritshëm politikisht, por edhe i rrezikshëm në aspektin ligjor dhe moral. Albin Kurti, në vend që të mbrojë qytetarët e vendit të vet nga padrejtësitë ndërkombëtare, zgjodhi t’u bashkohet akuzave që fabrikohen kundër luftës tonë të shenjtë për liri. Kjo është një tradhti morale ndaj të kaluarës dhe të ardhmes së Kosovës.

OVL UÇK nuk do të heshtë përballë këtyre zhvillimeve të rrezikshme. Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës, të drejtës së popullit tonë për liri dhe dinjitet, dhe të çdo luftëtari që sot padrejtësisht mbahet larg vendit për të mbajtur gjallë skenarë të turpshëm politikë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë